Studentja nga Kina emri i së cilës është shqipëruar Flaka ka ardhur në tetor të këtij viti në Tiranë që të studiojë dhe mësojë gjuhën shqipe. Pastaj kjo gjuhë do ta ndihmojë në të ardhmen që të ndërtojë një karrierë në politikë apo diplomaci.
“Kur fitova pranimin në universitet në Kinë, ne kemi të drejtë të zgjedhim disa gjuhë për studim, dhe një prej tyre është gjuha shqipe. Unë e di se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vështira dhe më antike në botë, prandaj e zgjodha atë”, thotë ajo, në një intervistë për EuroNews Albania.
19 vjeçarja ndjenë vështrimet kurreshtare ndaj portretit të saj aziatik, por thotë se njerëzit në Tiranë janë shumë të sjellshëm ndaj saj.
E ardhur nga qyteti i Whanit prej Kinës qendrore, vëren disa ndryshime në mes të vendit të origjinës dhe Shqipërisë.
“Këtu ekziston një ritëm shumë i ndryshëm nga ai që është në vendlindjen time, sepse njerëzit këtu mësohen me një jetë shumë të ngadaltë dhe mund të punojnë e studiojnë me një ritëm më të rehatshëm”, ka thënë Flaka.
Përveç Flakës edhe studentët tjerë të ardhur nga Kina mund të shprehen lirshëm në gjuhën shqipe, duke diskutuar rreth temave të ndryshme.
Gur gur bëhet mur është shprehja shqipe e pëlqyer e flakës e cila lidhet edhe me filozofinë e jetës së vendit prej nga vjen, ku shekuj më parë, gur pas guri ndërtuan murin e madh kinez.