Ngjarja e rëndë dhe e mbushur plot mister, e ndodhur në fshatin Xhyrë të Librazhdit tre ditë më parë, ku një çift i sapomartuar u gjetën të helmuar në dhomën e tyre të gjumit, ka tronditur mbarë opinionin publik.
Për fat të keq, 19-vjeçarja, Rezarta Hajdari ndërroi jetë, ndërsa bashkëshorti i saj Olsiani mundi të shpëtojë dhe u përmend pak orë më parë, pasi qëndroi dy ditë në gjendje kome.
Në një intervistë të dhënë dje, Olsi u shpreh se nga nata e tragjedisë mbante mend vetëm që kishin ngrënë darkën, kishin marrë një mangall me prush dhe ishin shtrirë për të fjetur.
Ndërkohë nga ana tjetër, familjarët e 19-vjeçares kanë hedhur akuza të forta, teksa pretendojnë se ajo është helmuar.
Mamaja e Rezartës, Suzana Xibraku u shpreh se të bijën ja kanë helmuar dhe se do të bëjnë një denoncim në polici.
Mes lotëve, ajo u shpreh “Vajzën ma helmuan, duam të zbardhet e vërteta. Po shkojmë të bëjmë denonimin në polici”.
I vëllai i viktimës, Reshit Xibraku akuzon Olsianin për helmimin e motrës së tij. Ai tregon se nuk pranon që njerëzit e dhëndrit t’i shkojnë në shtëpi.
“Nuk pranoj njerëzit e Olsit të më vijnë në shtëpi. Ata më helmuan motrën. Të hetohet e vërteta. Po shkojme në polici. Fola me Olsin, e pyeta çfarë i bëtë motrës time, më tha nuk mbaj mend asgjë, ne morëm mangallin dhe fjetem”, tha vëllai.