Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka njoftuar se një foshnje e braktisur në Tiranë, gjegjësisht në zonën e Yzberishtit, ka vdekur.
“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’, i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot, edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet”, ka thënë Balla.
Policia e Shtetit, tha ai, ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi “pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim”.
“Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”, theksoi ministri Balla.
Një grua në Tiranë e ka braktisur foshnjën e saj në bodrumin e një pallati, ku më pas është identifikuar dhe ndaluar nga policia.
Siç shkruan Top Channel, foshnja e gjinisë mashkullore ishte në gjendje shumë të rëndë dhe mbahej i intubuar.
Në momentin e mbërritjes në reanimacion, foshnja ishte i mbuluar me gjak e baltë ndërsa mjekët konstatuan hipotermi të thellë, gërvishtje të syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë dhe dëme të tjera që u konstatuan pas larjes.
Foshnja në spital kishte mbërritur pa shenja jete dhe u reanimua intesivisht duke u intubuar. Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete dhe më pas u bë mjekimi i plagëve.
Mësohet se fëmija në momentin e parë u gjet i zhveshur, me kordonin umbelikal të pa prerë dhe i mbuluar me gjak.
Djali i sapolindur është gjetur nga një banor i pallatit, i cili ka njoftuar policinë dhe më pas është transportuar me automjetin e Policisë, së bashku me stafin mjekësor në spital.