Plazhet dhe qendrat e qyteteve tona nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave të “Wild West”. Është ky reagimi i presidentit Ilir Meta pas krimit që tronditi Velipojën këtë mesnatë. Sipas tij kjo ngjarje tronditëse kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve, ndërsa i bën thirrje Policisë të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikëqyrje territorin e vendit.
“Përplasja me armë zjarri në Velipojë, me 4 viktima dhe 2 të plagosur, është një tjetër ngjarje tronditëse, që kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve. Prej kohësh i kam bërë thirrje, në mënyrë të vazhduar, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikëqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale”.
Meta thekson se rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht në vend. Sipas tij konfliktet me armë zjarri në ambiente publike vënë në rrezik jo vetëm jetën e qytetarëve pro dëmtojnë edhe imazhin e Shqipërisë te turistët vendas dhe të huaj
“Konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë te turistët vendas dhe të huaj.
Ndaj në këtë situatë, që duket se ka dalë jashtë kontrollit dhe që çdo ditë prodhon fatkeqësisht viktima, secili autoritet i lartë shtetëror duhet të mbajë përgjegjësitë e tij të detyrës dhe të heqë dorë nga propaganda cinike, që nuk mund të mbulojë të vërtetat, që i shohim të gjithë.
Rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve”. /a2news/