Një 32-vjeçar nga fshati Libonik i Bashkisë Maliq ka humbur jetën këtë të hënë, pasi është mbytur në ujërat e liqenit të Pogradecit.
Sipas të dhënave paraprake, 32-vjeçari ndodhej në një varkë pedalinë së bashku me dy persona të tjerë, rreth 150 metra larg bregut. Teksa po kalonin kohë në liqen dhe po luanin me njëri-tjetrin, ai dyshohet se ka rënë në ujë.
Raportohet se 32-vjeçari, i cili nuk dinte të notonte mirë, është përfshirë nga paniku dhe nuk ka mundur të qëndrojë mbi ujë. Dy personat që ndodheshin me të në varkë nuk kanë mundur t’i japin ndihmën e parë.
Pas njoftimit për ngjarjen, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, të cilat kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij.
Pas disa minutash kërkime, trupi i 32-vjeçarit është nxjerrë nga ujërat e liqenit dhe është transportuar në morgun e Spitalit të Pogradecit.
Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.