Presidenti Ilir Meta vlerësoi pas vdekjes me Dekoratën e lartë “Naim Frashëri”, Luiza Dulen, mësuesen e shkollës “Selami Kodra” në Arrëz, Devoll, e cila u nda nga jeta duke shkuar në punë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 19 dhjetor të vitit 2018, kur mësuesja u nda tragjikisht nga jeta në një aksident duke shkuar për të dhënë mësim në shkollë.
“Në kuadër të Ditëve të 7 dhe 8 Marsit, vendosa të vlerësoj me Dekoratën e lartë “Naim Frashëri”, Luiza Dule (pas vdekjes), mësuesen e ndjerë të shkollës “Selami Kodra” në Arrëz, Devoll, e cila humbi jetën në një aksident tragjik, në 19 dhjetor 2018, duke shkuar pranë nxënësve të saj të dashur”.
“Ky vlerësim është shprehje nderimi dhe respekti, për mësuesen e paharruar Luiza Dule, nënën dhe familjaren model, si edhe për të gjithë arsimtarët, veçanërisht për mësueset në mbarë vendin, simbole të përkushtimit dhe të sakrificave të pashembullta, për përhapjen e dijes dhe edukimit te brezat e rinj, duke sakrifikuar deri edhe jetën e tyre!”, ka thënë Meta.