×
  • Lajme
  • Shqipëria / Sulmi brutal

    U rrah nga katër persona, mjeku flet për gjendjen e avokatit Mëngjesi: Diskutohet ende për jetën

    Reporteri
    31 Maj 2024 | 14:23

    Shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë, Fatos Olldashi, ka folur për gjendjen shëndetësore të avokatit, Sokol Mëngjesi, i cili u rrah brutalisht nga katër persona.

    Olldashi ka thënë se gjendja e Mëngjesit duket e stabilizuar, por ai vazhdon të jetë i intubuar dhe sipas tij, diskutohet ende për jetën.

    Por nëse vazhdon me këto parametra, pra me ulje të edemës që ka në pjesën e përparme të truri , do të tentohet zgjimi i tij ditën e hënë, pra të nxirret nga intubimi, raporton TCH.

    Avokati u sulmua mëngjesin e së mërkurës pasi la djalin e tij në kopsht.

    Nga katër autorët e dyshuar të sulmit ku tre goditën avokatin dhe njëri i transportoi në pranga ka rënë vetëm një.

    Dorian Aliaj u vetëdorëzua mbrëmjen e dy ditëve më parë dhe ka folur para grupit hetimor.

    Sipas tij, ai dhe Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku nuk e kishin planifikuar sulmin ndaj avokatit.

    Dorian Alia u shpreh se takimi pranë kopshtit 31 ishte i rastësishëm.

    Ai pretendon se vetëm e ka përshëndetur avokatin, por kur ky i fundit e ka injoruar e ka qëlluar vetëm një herë me grusht. Kur e ka parë se avokati është rrëzuar është larguar me vrap nga paniku.

    Para hetuesve Dorian Aliaj ka treguar dhe për mosmarrëveshjet që miku i tij, Dritan Nano ka pasur me avokatin dhe se nga padia e bërë nga ky i fundit prona ishte bllokuar.

    Nga ana tjetër i ndaluari me iniciativë të policisë Dritan Nano, i cili sipas policisë dyshohet si organizator i sulmit ndaj avokatit ka mbajtur qëndrim mohues duke e përjashtuar veten nga kjo ngjarje.

    Shkak për konfliktin sipas hetimeve është mosrespektimi i një kontrate lidhur mes avokatit dhe trashëgimtarëve të një prone në zonën e Liqenit artificial.

    Pala e përfaqësuar nga avokati fitoi gjyqin në të 2 shkallët e gjyqësorit por një prej 8 trashëgimtarëve, Dritan Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës çka solli bllokimin e pjesës takuese të tij.

    TCH raporton se dhe para sulmit Dritan Nano e ka kërcënuar avokatin që të hiqte dorë nga padia që i kishte bllokuar pronën sepse në të kundërt do ta pësonte.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!