Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nis verifikimet pas ekzekutimit të mbrëmshëm të Hekuran Billës në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë.
Sipas ILD-së, ka nisur verifikimi i fakteve për dënimin me burg të përjetshëm të 40- vjeçarit dhe mënyren sesi ai ka fituar lirinë.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndjekur informacionet publike lidhur me vrasjen mbrëmjen e kaluar të shtetasit H.B., në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë dhe të dhënat se ndaj këtij shtetasi ishte dhënë një dënim me burgim të përjetshëm.
Duke marrë shkas nga faktet e bëra publike në media ditën e sotme, zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka nisur verifikimin e këtyre fakteve dhe të rastit”, thuhet në një njoftim.
Dje rreth orës 22:00 Hekuran Billa u vra në një atentat, ndërsa ngjarja lidhet me të shkuarën e tij.
Ai është dënuar me burgim të përjetshëm në Angli për vrasjen e shtetasit Prel Marku ndërsa la të plagosur tre të tjerë, Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.
Gjykata në Angli e dënoi Hekuran Billën me burgim të përjetshëm, ndërsa nëntë vite më pas, me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare, në vitin 2016 ai ekstradohet drejt vendit tonë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Në Shqipëri Billa kërkoi një tjetër proces gjyqësor për njohjen e vendimit. Gjykata shqiptare ja konvertoi burgimin e përjetshëm me 25 vite burg, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, për veprën penale që ai akuzohej.
Pasi mori këtë vendim tre vite më vonë, Billa bëri sërish një kërkesë në gjykatë për tu liruar me kusht, që e arriti ta marrë në vitin 2019.
Billa ka hyrë në Shqipëripara 5 ditësh, nga pika kufitare e Morinit, nga Kosova, i kthyer nga Belgjika.