×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Varianti i ri i Covid, mjeku shqiptar në SHBA: Është përhapur edhe në Shqipëri

    Reporteri
    22 Dhjetor 2020 | 8:10

    Drejtori i Zhvillimit të vaksinave në kompaninë COVAX në SHBA, Arban Domi, përmes një lidhje Skype në emisionin ‘Opinion’, u shpreh se varianti i ri i COVID që ka alarmuar Britaninë e Madhe mund të jetë përhapur edhe në Shqipëri. I pyetur se a na mbron vaksina nga mutacionet e ndryshme të COVID-19 ai tha se nuk dihet ende.


    “Nuk dihet nëse e mbron nga mutacionet. Jam i sigurt që “Phizer” dhe “Moderna” po testojnë vaksinën e tyre në lidhje me këtë virus, sepse ato kanë mostrat dhe e vënë në kontakt me virusin e ri për të parë si reagon. Kam ngelur i befasuar nga ky alarm në Europë që nga ana virologjike dhe e kërkimit është i pavlerë, – u shpreh Domi. – Ky mutacion është që në shtator, në fillim të dhjetorit, 20 për qind e rasteve të të infektuarve në Angli ishin me këtë mutacion, tani është 60 përqind. Jam i sigurt që ky mutacion është përhapur në të gjithë Europën dhe në Shqipëri. Gjëja pozitive është që ka rritur infektivitetin, por nuk ka ndryshuar lidhur me vdekshmërinë dhe rëndësinë e sëmundjes”, tha mjeku Arban Domi.

    Ai ka sqaruar se efektet anësore të vaksinës kundër COVID-19 janë të përkohshme dhe nuk ndikojnë në shëndetin afatgjatë te njerëzit.

    “Efekte sekondare të vaksinës që janë vënë re në SHBA janë të përkohshme, zgjasin një ditë ose një ditë e gjysmë. Janë efekte që ndodhin në të gjitha vaksinat që nuk ndikojnë në shëndetin afatgjatë. Kanë sjellë shenja si marrje mendsh, teshtitje, probleme në frymëmarrje, irritim të zonës së infeksionit që nuk kanë asnjë vlerë. Është këshilluar që njerëzit që kanë probleme alergjike të bisedojnë me mjekun”, -thekson virologu shqiptar që punon dhe jeton në SHBA.

    Mjeku ka sqaruar gjithashtu se në SHBA, vaksinimi ka nisur fillimisht në azile, personelin që punon aty, më pas do të vaksinohen mjekët dhe infermierët në kontakt me të sëmurët me COVID, më pas do vijojë me moshat mbi 70 vjeç dhe personat me sëmundje të tjera.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!