E lindur në javën e 24-të një foshnje në Pogradec nuk ka mundur të mbijetojë.
Për vdekjen e saj, akuzohet mjekja e maternitetit Genta Shyta, për të cilën Prokuroria ka nisur hetimet në gjendje të lirë.
Burime bëjnë me dije se foshnja nuk ka dhënë shenja jete në momentin e lindjes, ndaj stafi e ka vendosur në një kuti duke e konsideruar atë pajetë.
Familjarët thonë se kanë hyrë në dhomën ku mbahej i porsalinduri dhe e kanë dëgjuar të qajë.
Për shkak të lindjes prematurë dhe gjendjes së rëndë, foshnja është dërguar me urgjencë në Tiranë por pavarësisht mjekimit të specializuar në datën 31 korrik ka ndërruar jetë.
Familjarët akuzojnë mjeken Genta Shyta se nuk ka treguar kujdesin e duhur ndaj të porsalindurit.
Kjo e fundit gjatë deponimit në polici, është shprehur se në kartelë ka shënuar se foshnja është abortuar. Sipas mjekes ajo nuk ka pasur shenja jete teksa të qarat e dëgjuara nga familjarët i ka cilësuar mrekulli.
Ngjarja tashmë gjendjet në duart e hetuesve të Pogradecit të cilët do të zbardhin në vijim rrethanat dhe përgjegjësit që shkaktuan vdekjen e foshnjës.