×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Velipoja premton pastërti dhe siguri më të madhe për turistët

    Reporteri
    27 Maj 2022 | 18:33

    Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahija, ka thënë se sivjet plazhi i Velipojës do të jetë më i pastër dhe do të ketë siguri më të madhe për turistët që zgjedhin t’i kalojnë pushimet aty.

    Sipas Spahijës, turistët kosovarë zënë vendin e parë në Velipojë e Shkodër.

    “Numri i turistëve ka rënë gjatë viteve pandemike. Por kemi parë rritje të këtyre shifrave vitin e kaluar. Parashikohet të ketë rritje të numrit të turistëve që do ta frekuentojnë plazhin e Velipojës. Ne e kemi rregulluar trajtimin e ujërave të zeza nëpërmjet ndërtimit të impiantit. Është një bregdet që konsiderohet jashtëzakonisht i pastër. Këtë vit, ne kemi përshpejtuar me një muaj e gjysmë, pastrimin e ambienteve të Velipojës. Ne si prioritet e kemi garantimin e sigurisë së qytetarëve që zgjedhin Velipojën për t’i kaluar pushimet. Kemi pas një mbledhje të një grupi pune në mënyrë që të sigurohemi, jo vetëm të garantojmë pasjen e hapësirave publike, por edhe mbrojtjen dhe krijimin e kushteve të duhura vrojtuesve të plazheve, t’u garantojmë vetëqëndrimet e duhura tyre. Me shërbimet shëndetësore kemi biseduar, që të garantojnë në ofrimin e ndihmës ndaj qytetarit në kohë më të shpejtë”, ka thënë Spahija në KTV.

    Sa i përket rritjes së çmimeve, Spahija ka thënë se është e rëndësishme që të garantojnë që nuk do të abuzohet me to gjatë sezonit turistik.

    Spahija ka vetëm dy muaj që ka marrë mandatin e kryetarit të Shkodrës. Ai fitoi në zgjedhjet e 25 prillit, duke garuar nën logon e partisë së Sali Berishës. Spahija do të ketë mandat njëvjeçar, para se të jenë zgjedhjet e rregullta lokale në Shqipëri. /koha

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!