Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur vazhdimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte paraqitur më 23 shtator kërkesën për marrjen në pyetje të Hysenit, e cila është person nën hetim.

Në përfundim të seancës, gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 69, datë 24 shtator 2026, vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale.

Reklamë

Gjykata vendosi gjithashtu ndalimin e publikimit të plotë ose të pjesshëm të vendimit gjyqësor deri në përfundim të hetimeve paraprake, bazuar në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale.

Hyseni u largua nga ambientet e GJKKO-së pas rreth dy orësh e 20 minutash. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me përgjimet e SPAK-ut.

Në njoftimin zyrtar, GJKKO-ja sqaron:

“Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 23.09.2026 ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën për marrjen në pyetje të personit nën hetim Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 69, datë 24.09.2026 vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Vlora Hyseni.

Reklamë

Gjithashtu, gjykata, bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale ka vendosur ndalimin e publikimit tërësisht apo pjesërisht të këtij vendimi gjyqësor deri në përfundim të hetimeve paraprake.”