×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Vodhi 990 mijë euro në Aeroportin e Rinasit, dënohet me 25 vjet burgim

    Reporteri
    25 Tetor 2021 | 18:38

    Gjykata e Posaçme ka dënuar me 25 vjet burgim Aleks Pepën, i akuzuar për përfshirje në grup kriminal dhe vjedhje me dhunë. Ai u dënua për vjedhjen e 990 mijë eurove në vitin 2016 në pistën e Aeroportit të Rinasit.

    Për këtë rast Pepa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Ai cilësohet si “truri” i grupit kriminal dhe pas grabitjes bashkë me dy bashkëpunëtorët e tij u identifikuan nga analizat e ADN-së dhe qelizat telefonike.

    Këto të fundit treguan se më 30 qershor 2016 u lokalizuan nga antenat telefonike në zonën e Rinasit.
    Më 30 qershor 2016 dy persona të armatosur çanë rrethimin e aeroportit, ndërsa drejtonin një automjet tip “Mercedez Benz“ ngjyrë të kuqe.

    Një person i tretë i priste më pas në një makinë të vjedhur dhe roli i tij ishte t’i ndihmonte të largoheshin.

    Pepa bashkë me një person tjetër këputën me darë çelësat e derës së rrethimit të Aeroportit të Rinasit dhe u futën me automjetin tip “Benz” dhe u afrua te makinat e blinduara të një shoqërie sigurie, e cila ishte kontraktuar nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë për të transportuar sasinë e eurove nga Tirana, në drejtim të Rinasit, me qëllim transferimin e shumës financiare jashtë shtetit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!