Që pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Shqipëria po tronditen nga vrasjet e njëpasnjëshme nga jugu në veri të Shqipërisë. Krimi ka shpërthyer duke rikthyer larjen e hesapeve që e kanë origjinën te trafiqet e paligjshme të kokainës brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Më 10 maj në Vlorë u vra Bledar Birçaj. Në mes të ditës me diell atentatorët të maskuar, tejet profesionistë qëlluan në drejtim të makinës ku po udhëtonte Birçaj, duke e vrarë në vend dhe u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë.
Nuk kaluan as dy ditë, krimi goditi sërish në një tjetër qytet, në Elbasan. I njëjti skenar, atentatorët i bënë pritë Everest Cakajt, i cili po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshorten. Vrasësi i ngriti pritën duke iu afruar makinës qëlluar për vdekje Cakajn dhe plagosën dhe bashkëshorten e të ndjerit.
Më 21 maj u ekzekutua po në Vlorë, Delon Troqe, i sapo kthyer nga Spanja. Një krim që tronditi qytetin bregdetar, i cili nuk po gjen qetësi këtë periudhë të nisjes së sezonit turistik, duke shtuar kështu edhe vrasjen e ndodhur një ditë më parë atë të Shkëlzen Velajt.
Brenda një muaji janë kryer 6 vrasje të bujshme tipike nga bota e krimit të organizuar, ndërsa 23 janë kryer për dy muaj.
Këto ngjarje kanë shokuar mbarë opinionin publik, por nuk kanë tronditur ende ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi i cili duket se po vazhdon të shijojë pushimet e tij, pas fitimit të mandatit të deputetit në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës. Një ndër vrasjet më të fundit është edhe ajo në Tepelenë i biznesmenit Çajup Selimit, në qytetin që ministri ka nën vëzhgim si drejtues politik i qarkut të Gjirokastrës.
Nuk kemi parë qoftë një dalje publike të ministrit Çuçi në lidhje me këto vrasje, apo qoftë dhe ndonjë njoftim zyrtar për ndonjë mbledhje urgjente të ministrit me shefat e komisariateve apo drejtorët në Drejtorinë e Policisë së Shtetit mbi këto ngjarje tronditëse.
Nesër nuk i dihet se kush mund të ta ketë radhën për t’u vrarë, pasi fusha e veprimit është lënë e lirë nga policia, e cila këto kohë merakun më të madh e ka të prishë ndërtimet pa leje, se sa të garantojë qetësinë dhe rendin publik. Çuçi vazhdon të shijojë pushimet, pasi atë e kemi parë me fotot duke kalëruar mbi një kalë i qetë dhe shijuar natyrën nga lartësitë, duke shëtitur me miqtë e tij nëpër rrugët e Tiranës, apo dhe duke luajtur futboll i qetë. Një relaks që po i kushton sigurisë së publike.
Ngjarjet e rënda kriminale brenda 1 muaji
10 maj Bledar Birçaj Vlorë
12 maj-Everest Çakaj Elbasan
21 maj Delon Troqe Vlorë
28 maj- Emiljano Ndou Shkodër
29 maj -Edison Begaj Plagosur Vlorë
1 qershor- Çajup Selimi, 52-vjeç, biznesmen
2 qershor Shkëlzen Velaj Vlorë / GazetaShqip