Gjykata e Apelit ka dënuar me burgim të përjetshëm Kristjan Cenajn, i akuzuar për “vjedhje me pasojë vdekjen”.
Vvendimi vjen pas një procesi të gjatë hetimor dhe gjyqësor që lidhet me zhdukjen dhe më pas vrasjen e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2015.
Sipas dosjes hetimore, Kristjan Cenaj grabiti dhe më pas vrau të miturin për shkak të sendeve me vlerë që ai mbante me vete, konkretisht një orë “Rolex” dhe një varëse floriri.
Trupi i pajetë i Mariglen Gjonajt u gjet 7 vite më pas, në vitin 2022, i groposur në një zonë të pyllëzuar në Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Hetimet zbuluan se pas krimit, Cenaj kishte zhdukur gjurmët duke u larguar nga zona dhe duke qëndruar për një kohë të gjatë në arrati.
Ora dhe varësja që kishte Marigleni kapnin vlerën e 10 milionë lekëve, ndërsa eshtrat e të riut u gjetën më 3 prill të vitit 2022 në Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Pas arrestimit të tij, ai nuk pranoi autorësinë, por provat e mbledhura nga Prokuroria çuan në dënimin e tij maksimal.
Gjykata vendosi që Kristjan Cenaj të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa nuk pranoi kërkesën e Prokurorisë për përjashtimin e mundësisë së lirim të parakohshëm me kusht pas 35 viteve.