Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagon pas zgjatjes me 13 vjet të koncesionit të Aeroportit të Rinasit.
Përmes një reagimi në Facebook, lideri i opozitës shprehet se, çdo akt koncesioni, PPP apo zgjatje koncesioni i propozuar nga qeveria ne ikje, është në shkelje flagrante të ligjeve të vendit dhe nuk do të njihet nga qeveria post 25 Prillit.
Lulzim Basha: Çdo akt koncesioni, PPP apo zgjatje koncesioni i propozuar nga qeveria ne ikje, është në shkelje flagrante të ligjeve të vendit. Zotohem para çdo shqiptari se unë dhe qeveria ime nuk do të njohim asnjë akt të tillë dhe do ta zhbëjmë atë.
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” do tu kthehet shqiptarëve dhe shtetit të tyre sipas përcaktimeve fillestare të kontratës koncesionare. Shqipëria do tu kthehet shqiptarëve! #ShqipëriaFiton
Zgjatja e afatit të koncesionit nuk po kryhet me tender publik por me propozim të Këshillit të Ministrave dhe pritet të votohet në Kuvend.
Shtyrja është propozuar kundrejt miratimit të një plani për investime nga koncesionari që mundëson zgjerim të aeroportit dhe ulje me 20% të tarifave për pasagjer.