Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti David Kostelancik, drejtor për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit.
Në takim ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones.
Kryetari i Kuvendit Ruçi i shprehu drejtorit Kostelancik mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së për Shqipërinë, për ruajtjen e integritetit e sovranitetit të saj në momentet vendimtare të historisë, mbështetjen gjatë tranzicionit dhe në mënyrë të veçantë në mbështetjen e reformave kyçe për transformimim dhe shëndoshjen demokratike të Shqipërisë.
Duke u ndalur në kontributin e ShBA-së në reformën në drejtësi, Ruçi nënvizoi se kjo reformë nuk do të ishte e mundur pa këtë mbështetje. Kryetari i Kuvendit vlerësoi faktin që ShBA vazhdojnë ta kenë me prioritet në fokus rajonin e Ballkanit Perëndimor, çka e konfirmoi edhe emërimi nga sekretari Pompeo i Mattheë Palmer si i dërguar special për rajonin.
“Nënvizimi nga zPalmer në Forumin e Bledit të Sllovenisë i çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë si një prioritet i ShBA në rajon është me shumë rëndësi për ne dhe një mbështetje e madhe për rrugetimin europian të Shqipërisë”,- theksoi Kryetari i Kuvendit.
Drejtori David Kostelancik falënderoi Kryetarin Ruçi për vlerësimin e kontributit të ShBA dhe ambasadës në Tiranë për thellimin e reformave për transformimin e Shqipërisë dhe vuri në dukje se Ballkani është me rëndësi jetike për ShBA, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Sekretarin Pompeo.
Kostelancik nënvizoi se SHBA e konsideron Shqipërinë si një aleat strategjik në NATO dhe e vlerëson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me të.
Ai vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë e për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020.
Drejtori Kostelancik nënvizoi mbështetjen e ShBA për reformën në drejtësi.
“Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga ShBA.”,- vuri në dukje drejtori Kastelancik.