Shqipërim Gashi nga fshati Ortakoll i Prizrenit nuk po mund ta shes banesën që e kishte blerë para rreth katër vitesh. Për ta vazhduar jetesën aty, thotë se po ka shumë vështirësi, meqë është me aftësi të kufizuara.
Për këtë banesë, ai ende nuk e posedon fletën poseduese.
Pronarët që ia kishin shitur i kishin thënë se ajo do i bëhej gati jo më larg se 5-6 muaj, por ai ende nuk e ka në dorë këtë dokument që është dëshmi e pronësisë.
Banesën thotë se e kishte blerë me paratë e sigurimit, pas një aksidenti që e kishte pasur. Kur e kishte blerë, thotë se i kishin bërë shumë premtime, si për parking, rampë të qasshme, por që më pas ato nuk ia kanë përmbushur.
“Halli jem është që unë i kom ble qëto dy banesa. Paret i kom pas të sigurimit, që kom pas një aksident me veturë. Banesat s’kanë pas lista poseduese. Premtimin ma kanë dhanë që rampa ka me qenë e qasshme kur të duash ti me hy vetë. Një parking ke me pas ose para banesës ose në bodrum. U bonën katër vjet, e unë qe katër vjet tu u marr me qeto probleme. Parko kerrin ma andej, merr një dënim prej policisë atje. Edhe më duhna me gjet një zgjidhje. Kom provu me fol në fillim, jam mundu me gjet një mes me ta. Njëherë më kanë thanë është çështje kohe, jo në atë javë jo në këtë muaj. Dikur e kom lanë hajt le të pushon ky muhabet apo ky tension që e kemi ngrit, por u bonën katër vjet. Mbas një kohë, ata as që e kanë ça kryet më”, rrëfen Shqipërimi.
Ai apelon tek të gjithë blerësit, që mos të blejnë prona pa fletë poseduese.
“Kom dasht edhe me shit banesën, edhe me u largu prej këtyhit, mirëpo për shkak të listës poseduese. Kur e kam ble banesën, këta më kanë thanë që brenda 2-3 muajve kryhet lista poseduese, U bonën katër vjet, edhe s’ka dalë. Unë kom dasht për shkak të këtyre problemeve me ik prej këtu, e me gjet një vend ku është më I qasshëm për mua…Kërkesa jem është me u gjet një zgidhje. Po ju bëj apel edhe këtyre pronarëve me I ndreq këto, mirëpo po ju bëj apel edhe shtetit me u marr me këto. Qysh e le ti njerin me shit një send, kur s’ka dokument. Unë nuk kam pare që ia kom dhanë në dorë, krejt pagesat janë bë përmes bankës”, thotë ai.
Gazetarja e Reporterit, Leonora Kulukaj, ka biseduar me një prej pronarëve, Edin Gashin. Sa i përket fletës poseduese, ai ka deklaruar se Shqiprimi mund ta merr kurdo, meqënëse thotë se tashmë është e gatshme.
E për problematikat e ngritura nga Shqipërimi, thotë se s’ka qenë në dijeni.
“Jo, për besë nuk jam i njoftum….Fleta poseduese i ka dalë. Prej të hanës dhe të martës mundemi me ia sjell kur të don. Rampën mundemi me ia rregullu, po ky ka thanë që po do me shit banesën. E ka qit në shitje, ka pru myshteri”, thotë ndër të tjera ai.
Ai ka një tjetër shpjegim për punën pse Shqiprimi s’po mund ta shes banesën.
“Na ia kemi shit banesën, këtij jo personalisht, por vëllaut të tij…E ka një problem gjyqësor. Na kur ka dasht me shit banesën, na kemi shku me ia përkthy tjetër kujt por noteri e ka ba ndalesën, se gruaja e vetë ka lyp atë që i takon. Ka ndalesë prej gjykatës”, ka deklaruar ai.