Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka adresuar akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtin, për përçarje të spektrit politik në Luginën e Preshevës. Këtë e thotë pasi nuk po ftohet në takimet që kreu i ekzekutivit kosovar po i zhvillon me përfaqësuesit e Luginës.
Arifi ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se Kurti nuk e fton në takime me liderët tjerë të Luginës së Preshevës pasi nuk ka pranuar të bëhet doraputhës i tij.
“Kurti nuk më fton se kemi pasur përplasje konceptuale për qasjen politike, unë kam qenë kundër ekspondimit të VV-së në Luginë të Preshevës, kam qenë pro qasjes së Kryeministrisë në të mirën e shqiptarëve të Luginës, çka ai nuk ka pranuar, ka dashur që së bashku me qasjen e Kryeministrisë me krijuar doraputhës edhe në Luginë të Preshevës, çka unë nuk e kam pranuar, kjo është pse nuk më fton në takime, sepse nuk jam doraputhës dhe i them gjërat ashtu siç janë”, ka thënë Arifi për Reporteri.net.
Ai thotë se kryeministri i Kosovës me veprimet e tij po i përçanë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Mosftesa për një pjesë të Luginës së Preshevës në takime, ku përfaqësojë unë dhe disa të tjerë, që jemi partitë më të mëdha në Luginën e Preshevës, është përçarje të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, dhe kjo ka mundur të jetë një teori, por me qasjen që e ka bërë edhe në Shqipëri me pjesëmarrjen në zgjedhje parlamentare aty, por edhe me qasjen që e zhvillon në Maqedoni, Vetëvendosje po përçan shqiptarët gjithandej. Por Vetëvendosje i përçan shqiptarët edhe në Kosovë, pasi jep për investime kapitale në komunat që udhëhiqen prej partisë së tyre, dhe më pak ku i ka kundërshtarët më të mëdhenj. Është një përçarës gjithandej, dhe bojkoti i zgjedhjeve në Luginë të Preshevës nga shqiptarët e bën Albin Kurtin përçarës. Ai neve është duke na përçarë”, ka thënë Arifi. /Reporteri.net/.