×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / New York

    Shqiptarët protestojnë në Times Square kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    17 Shtator 2026 | 17:28

    Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, shqiptarët në diasporë kanë organizuar protestë në mbështetje të tyre.

    Mbrëmë, në Times Square të Nju Jorkut, shqiptarë nga diaspora u mblodhën në një protestë, përmes së cilës shprehën mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.

    Pamje nga protesta ka publikuar në rrjetet sociale prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari.

    Në publikimin e tij, Hajdari ka thënë se diaspora shqiptare u mblodh “si një trup i vetëm” për të qëndruar pranë ish-krerëve të UÇK-së, të cilët, sipas tij dhe protestuesve, janë dënuar padrejtësisht.

    “Në Manhattan, në Times Square! TË GJITHË BASHKË, PËR NJË QËLLIM — LIRI PËR ÇLIRIMTARËT! Mbrëmë, diaspora shqiptare u mblodh si një trup i vetëm, me një zë dhe me një qëllim: të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë, ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ne besojmë se janë dënuar padrejtësisht”, ka shkruar Hajdari.

    Ai ka theksuar se shqiptarët, pavarësisht trevave nga të cilat vijnë, i bashkon Kosova, historia dhe respekti për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj.

    “Pavarësisht se nga cila trevë shqiptare vijmë, sot na bashkon Kosova, na bashkon historia jonë dhe respekti për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj”, ka deklaruar ai.

    Hajdari ka përcjellë edhe mesazhin se diaspora shqiptare nuk i harron ish-krerët e UÇK-së dhe sakrificën e popullit të Kosovës.

    “Nga Amerika e kudo në diasporë, mesazhi ynë është i qartë: nuk i harrojmë çlirimtarët tanë dhe nuk harrojmë sakrificën e popullit të Kosovës”, ka shkruar ai.

    Në fund të reagimit, prefekti i Tiranës ka bërë thirrje për bashkim rreth mesazheve për liri, drejtësi dhe dinjitet.

    “LIRI, DREJTËSI, DINJITET! Së bashku për vëllezërit tanë. Së bashku për çlirimtarët”, ka përfunduar Hajdari.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!