Shqiptarët që kishin pranuar të deportoheshin me procedurë të përshpejtuar, janë mbajtur pa nevojë nëpër burgje, ka zbuluar Kryeinspektori i Punëve të Brendshme për Burgjet e Mbretërisë së Bashkuara pas një hetimi të kryer, raporton “The Guardian”.
Ai gjithashtu ka zbuluar se stafi nuk e dinte për dëshirën e shqiptarëve që të dëboheshin. Ata po mbahen në qendrat e deportimit deri në vendimin për kthim në Tiranë. Kryeinspektori gjithashtu ka bërë të ditur se shumë prej këtyre shqiptarëve nuk u është respektuar privatësia gjatë përdorimit të tualetit.
Mirëpo, gazeta britanike “The Guardian” raporton se disa kriminelë shqiptarë janë liruar më herët nga burgjet britanike dhe u janë ofruar nga 1 mijë e 500 funte nëse pranonin të ktheheshin në Shqipëri.
Ministria britanike e Punëve të Brendshme kishte nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë në dhjetorin e vitit 2022 për mbikëqyrjen e deportimit të shtetasve shqiptarët, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Britani, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Gjatë vitit 2022 pati rritje të numrit të shqiptarëve që ia mësynin Britanisë nëpërmjet Kanalit me Francën. Para dy vitesh, shqiptarët përbënin më shumë se një të katërtën e 45 mijë e 774 personave që arritën me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.
“Inspektorët kanë gjetur se shumë shqiptarë kanë qëndruar me javë të tëra nëpër qendra ani pse kishin kërkuar që të ktheheshin, dhe informacionet për dëshirën e tyre nuk ishin të mjaftueshme”, ka thënë kryeinspektori Charlie Taylor.
Gjetjet u bazuan në inspektimin e muajit dhjetor. Gjatë këtij muaji, inspektorët mbikëqyrën deportimin e 73 shqiptarëve që nga Londra u nisën drejt Tiranës. 50 prej tyre janë kthyer vullnetarisht.
Shumica e shqiptarëve ilegalë u kanë thënë inspektorëve se nuk janë konsultuar me avokatët, pasi kishin zgjedhur kthimin vullnetar. “Disa prej tyre ishin shumë të pakënaqur për shkak se kanë pritur për më shumë se një muaj nëpër qendra para se të siguronin fluturimin e kthimit, pavarësisht se pranuan largimin në fazë më të hershme”, thuhej në raportin e inspektorëve.
Kryeministri britanik Rishi Sunak është shprehur i kënaqur për marrëveshjen me Shqipërinë për deportimin e shtetasve shqiptarë.