×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqiptari dyshohet se planifikoi sulm terrorist ndaj ish-zv.kancelarit austriak që u përfshi në skandalin me oligarken ruse

    Reporteri
    26 Qershor 2019 | 13:56

    Austria u trondit së fundmi nga një skandal, ku ishte i përfshirë zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache. Në një filmim të fshehtë nga viti 2017 ai tregohet i gatshëm që t’i japë një oligarkeje ruse mbështetje për tendera publikë, në rast se FPÖ do të ishte pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve, e krejt kjo në këmbim të mbështetjes financiare. 


    Menjëherë pas këtyre publikimeve, zëvendëskancelari austriak dha dorëheqje, duke premtuar se pafajësia e tij do të dëshmohet. Pak ditë pasi situata u qetësua, Strache është kthyer sërish në qendër të vëmendjes, kësaj radhe për një sulm që ishte planifikuar të kryhej kundër tij.

    Zyra e prokurorisë austriake po heton aktualisht një sulm terrorist, me auto-bombë që kishte për qëllim vrasjen e kancelarit austriak. Në qendër të hetimeve si i dyshuar kryesor po del të jetë një shqiptar i cili nga mediat austriake është identifikuar si Bujar.B, transmeton Reporteri.net.

    Kreu i FPÖ, Heinz-Christian Strache thuhet se ka qenë objekt i një sulmi terrorist të planifikuar në kohën sa ishte zëvendëskancelar. Pas sulmit të planifikuar, sipas të përditshmes së Vienës, Kurier ndodhet Bujar B, i cili u arrestua vitin e kaluar për posedim të narkotikëve dhe armëve pa leje.

    Në dokumentet e Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Vjenës, pohohet se i dyshuari Bujar B. ishte përpjekur të bindë një person tjetër për vrasjen e zëvendëskancelarit Strache. Bujari i ofroi këtij personi, i cili në fakt ishte polic i fshehtë 100 mijë euro dhe i kërkoi atij që të kryente atentatin ndaj Strache. Sipas prokurorisë me këtë veprim i dyshuari Bujar.B kishte për qëllim që të shkaktonte tensione në shoqërinë austriake dhe të frikësonte popullsinë me qëllim të vendosjes së strukturave të caktuara politike në vend.

    Oficeri i policisë, të cilit ai i kishte ofruar para për të kryer vrasjen, pretendon se Bujari e dinte se ku e parkon makinën familja Strache dhe shumë gjëra të tjera rreth familjes.  Bujari, i cili aktualisht është i lirë, është subjekt i një hetimi në të cilin prokuroria nuk arriti të gjejë dëshmi të mëtejshme.

    Avokati i ish zëvendëskancelarit Strache, Johan Pauer konfirmoi se kishte pasur një plan për vrasjen e klientit të tij.

    Megjithatë, ai thekson se dyshimi mbështetet vetëm në pretendimin e një personi dhe rekomandon që prokuroria duhet të ketë në konsideratë se mund të bëhet fjalë për akuza të rrejshme.   

    “Bujari është “kriminel i vogël “, por jo një terrorist, ai kurrë nuk kishte probleme me zëvendëskancelarin Strache. Nuk ka asnjë motiv këtu”, u shpreh avokati i ish-zëvendëskancelarit austriak. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!