Kjo është ndërtesa e njohur si “Villa”, në hapësirën e Fabrikës së Municionit në Skenderaj, ku sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ishte vendosur Shtabi Operacional i forcave serbe që planifikuan dhe koordinuan sulmin ndaj lagjes Jasharinë Prekazin e Poshtëm.
Nga ky shtab, sipas aktakuzës, u ndanë detyrat dhe u përcaktuan pozicionet e njësive speciale serbe që do të merrnin pjesë në operacionin e 5, 6 dhe 7 marsit 1998.
Krimet e kryera ndaj familjes Jashari dhe banorëve të Prekazit gjatë këtij sulmi janë ndër krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Prokuroria Speciale në aktakuzën e ngritur më 4 shtator 2026 përshkruan në detaje planifikimin, organizimin dhe mënyrën e zbatimit të këtij operacioni.

Sipas aktakuzës, shtabi ishte formuar më 4 mars 1998 dhe drejtohej nga Goran Radosavljević, i njohur me nofkën “Guri”. Në të merrnin pjesë edhe komandantë të njësive speciale serbe nga Beogradi, Novi Sadi dhe Prishtina.
Në këtë shtab, sipas Prokurorisë, u përcaktua edhe roli i njësive që do të sulmonin lagjen Jashari. Njësia për Operacione Speciale, e komanduar nga Milorad Ulemek “Legia”, ishte caktuar të sulmonte shtëpitë e Shaban Jasharit.
Ndërkohë, njësive të tjera speciale iu caktuan drejtime të ndryshme të sulmit, ndërsa njësi të tjera policore do të krijonin një “rreth të hekurt”, për të pamundësuar hyrjen dhe daljen nga Prekazi i Poshtëm.
Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ky plan u vu në zbatim. Sipas aktakuzës, forcat serbe sulmuan lagjen Jasharaj pa paralajmërim, duke përdorur armë të kalibrit të rëndë, mjete të blinduara dhe tanke.
Prokuroria thotë se këto të dhëna mbështeten në prova materiale dhe dëshmi të dëshmitarëve.