Policia e Kosovës ka sekuestruar 41 pako të cigareve nga një shtetas bullgar në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Shtetasi bullgar po tentonte që përmes Kosovës t’i kontrabandonte ato cigare në Londër, pasi ky vend ishte edhe destinacioni i tij.
Policia bën të ditur, se ka pasur edhe tri raste të tjera, ku bashkarishst, kanë sekuestruar në të gjitha këto raste, 340 shteka cigare.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës në disa raste ka sekuestruar pako me cigare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës
Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, si rezultat i implementimit të planeve operative dhe angazhimeve shtesë në identifikimin dhe parandalimin e kontrabandës në aeroport, kanë realizuar disa veprime konkrete mbi dyshimet e bazuara për kontrabandim të duhanit/cigareve, të cilat përmes Kosovës kanë tentuar të destinohen kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Si rezultat i angazhimeve dhe veprimeve policore vetëm përgjatë muajve dhjetor 2024 – janar 2025, janë identifikuar katër raste të kontrabandimit me duhan/cigare, ku persona të dyshuar me shtetësi të huaj dhe të Kosovës, kanë tentuar që të kontrabandojnë pako/shteka me cigare prej sasive të ndryshme, për në qytetin e Londrës.
Në rastin e fundit të ndodhur me datën 11 janar 2025, është parandaluar kontrabandimi i 41 pakove/shtekave me cigare, të cilat i dyshuari mashkull shtetas Bullgar ka tentuar përmes Kosovës t’i kontrabandojë në Londër, pasi destinimi i tij ishte për në këtë qytet.
Në këto katër raste Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka sekuestruar mbi 340 pako/shteka me cigare të llojeve të ndryshme, kryesisht të llojeve të shtrenjta.
Policia e Kosovës së bashku me institucionet kompetente, njofton opinionin dhe qytetarët se ka rritur angazhimet dhe prezencës e saj në kontrollet e pasagjerëve, tek të cilët ka dyshime për kontrabanda të tilla.