×
  • Lajme
  • Lajme

    Shtetasja e Shqipërisë akuzohet se kundërligjshëm përfitoi pensionin e veteranes së UÇK-së

    Reporteri
    30 Nëntor 2020 | 18:51

    Në Gjykatën Themelore në Gjakovë sot ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarës se përfitoi kundërligjshëm pensionin e veteranes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Vjollca Maqi.


    Kjo seancë është shtyrë me kërkesë të të akuzuarës Maqi, me arsyetimin se e njëjta nuk është e përgatitur dhe se nuk i ka marrë shkresat e lëndës, duke shtuar se sot nuk dëshiron të deklarohet në lidhje me fajësinë.

    Propozimin për shtyrje të seancës nuk e ka kundërshtuar prokurori Sadri Alija.

    Më pas, gjykatësja Diana Sina e ka aprovuar propozimin për shtyrje të seancës, derisa seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 16 dhjetor.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Vjollca Maqi po akuzohet se më 13 maj 2016 në Gjakovë, përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije e përdor dokumentin e falsifikuar, në atë mënyrë që e pandehura në cilësinë e aplikueses për veterane, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të statusit të veteranit luftëtar dhe më vonë të skemës pensionale, në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit/Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit te UÇK-së, ka dorëzuar aplikacionin me të dhëna të falsifikuara kinse ka qenë e regjistruar si ushtare aktive e armatosur dhe uniformuar nga shtabi i zonës operative të UÇK-së, nga fillimi deri në përfundim të luftës së fundit në Kosovë, raporton Betimi pë Drejtësi.

    Për këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 të KPRK-së.

    Tutje sipas aktakuzës, e njëjta po akuzohet se më 5 prill 2018, në vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, në procedurë administrative me vetëdije paraqet deklarim të rremë për marrjen e vendimit përfundimtar dhe atë me qëllim të regjistrimit në skemën e pensioneve dhe benificioneve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, viktimave civile dhe kategorive tjera, në atë mënyrë që ka deklaruar rrejshëm se kinse ka qenë e regjistruar si ushtare aktive e armatosur dhe uniformuar nga shtabi i zonës operative të UÇK-së, nga fillimi deri në përfundim të luftës së fundit në Kosovë, ashtu që arrin të përfitoj njohjen e të drejtës në pension personal të veteranit-luftëtarit të UÇK-së nga data 1 maj 2018, në shumën mujore prej 170 euro, me çka buxhetit të Republikës së Kosovës i shkakton dëm të konsiderueshëm material.

    Për këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “deklarim i rremë” nga neni 392 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 te KPRK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!