×
  • Lajme
  • Lajme

    “Shteti në pushim”: Nga VV nuk tregojnë se a do ta iniciojnë ndryshimin e Ligjit për Festa Zyrtare

    Reporteri
    04 Maj 2021 | 14:12

    Së fundmi është kritikuar edhe një herë numri i madh i festave zyrtare që po shfrytëzohen në Kosovë.


    Çështja e ditëve kur në vendin tonë pushohet është riaktualizuar këtë javë kur për shkak të 1 Majit dhe Pashkëve Ortodokse zyrtarët e institucioneve publike pushuan katër ditë.

    Por, se a do të iniciohet ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare nga Vetëvendosja e cila tash është në pushtet por ka kritikuar vazhdimisht këtë ligj duke kërkuar ndryshimin e tij?

    Ushtruesja e detyrës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari –Lila, ka thënë për klankosova.tv se për momentin nuk mund të japë ende një përgjigje të saktë.

    “Kjo është për shkak se ky ligj kërkon edhe të drejtat e pakicave. Në legjislaturat e mëhershme ka pasur komplikime për arsye të kërkesave që kanë qenë të një grupi parlamentar dhe prandaj nuk është bërë ndryshimi i këtij ligji”.

    Ajo ka thënë se një gjë e tillë ende nuk është diskutuar si plan afatshkurtër, duke shtuar se për këtë fazë nuk ka akoma asgjë konkrete.

    Ligji për Festat Zyrtare në Kosovë ka gjithsej 11 festa dhe respektohet në tërësi nga institucionet publike, derisa shumë nga bizneset e sektorit privat e kanë ditë pune.

    Festat zyrtare në Kosovë të përcaktuara me ligj janë: Viti i Ri, Krishtlindjet Ortodokse, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Pashkët Katolike, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Pashkët Ortodokse, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël dhe Krishtlindjet Katolike.

    Përveç këtyre festave, sipas ligjit, janë të përcaktuara edhe disa ditë të tjera memorialë për të cilat ekzekutivi vendos që të pushohet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!