Haxhi Hoti, ish-kandidat për deputet nga partia Nisma për Kosovën, kërcënoi mbrëmë përmes një shkrimi në rrejtin social Facebook, kreun e VV-së, Albin Kurti.
Ai e nisi shkrimin duke e krahasuar Kurtin me presidentin amerikan John F. Kennedi, i cili ishte vrarë gjatë mandatit sa ishte president.
“Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet”, kishte shkruar ndër të tjera Hoti.
E pas pak minutave, vet Hoti ka shkruar një tjetër status, ku sipas versionit të tij është bërë një gabim teknik dhe kërkon falje.
Menjëherë pas këtij statusi “shpërthyen” reagime të shumta, duke i dalë në mbrojtje Kurtit dhe thirrje që drejtësia të merret me Hotin.
Reagoi edhe partia e tij, NISMA e cila pohoi se “janë kundër çdo deklarate që nxit urrejte”, ndërsa Vetëvendosje dorëzoi kallëzim penal ndaj Hotit, duke e quajtur kërcënim brutal.
Nuk shkuan shumë orë dhe organet e drejtësisë bën detyrën e tyre e arrestuan Hotin, i cili me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme.
Por vite më parë organet e drejtësisë nuk u treguan kaq efikase.
Drejtësia nuk e kishte arrestuar Alban Krasniqin, burrin e deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu, kur më 27 shkurt të vitit 2016-të, kishte kërcënuar me vrasje Kadri Veselin, shkruan Reporteri.net.
“Kadri të vjen radha edhe ty, s’ka polici që të mbron nga populli revoltuar. Pastë dorën e marë ai që të marrtë në shenjë”, kishte shkruar ndër të tjera në postimin e tij Krasniqi.
Ndryshe, gjatë këtij viti që po e lëmë pas, 2019-tës ka pasur disa raste kur politikanët kanë kërcënuar në mënyra të ndryshme njëri-tjetrin. /Reporteri.net/.