×
  • Lajme
  • Lajme / Raporti i Auditorit

    Shteti pagoi rreth 60 mijë euro pensione për personat e vdekur

    Reporteri
    25 Qershor 2025 | 13:17

    Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e saj vjetor për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, ka gjetur se ky institucion ka paguar pensione në vlerë rreth 60 mijë euro për personat që kishin vdekur, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Auditorit, gjatë vitit të kaluar ishin realizuar 437 pagesa të tilla nga shteti.

    “Sipas Ligjeve përkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve. Nga krahasimi i të dhënave/regjistrave ndërmjet MFPT-të dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil kemi gjetur se gjatë vitit 2024 janë realizuar gjithsej 437 pagesa, në vlerë 58, 750 euro, për pensione pas vdekjes së përfituesve”, thuhet në raport.

    Kjo thuhet se ka ndodhur kryesisht si rezultat i lajmërimit me vonesë apo edhe kur vdekjet e përfituesve nuk ishin regjistruar me kohë në Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Ministria nuk kishte informata për rastet.

    ZKA i ka bërë thirrje Ministrit në detyrë, Hekuran Muratit, që të analizojë në thellësi këtë çështje dhe të shqyrtojë mundësitë që mjetet t’i kthehen shtetit.

    “Ministri duhet të analizojë në hollësi çështjen e pagesave më sipër dhe të shqyrtoj mundësitë për kthimin e tyre nga shfrytëzuesit në llogarinë e buxhetit. Gjithashtu duhet të siguroj forcimin e kontrolleve të brendshme në mënyrë që të krijoj një komunikim më efektiv ndërmjet databazave të skemave pensionale”, thuhet në raport.

    Tjetër gjetje në këtë raport është që ka pasur raste kur nga pensionet dhe ndihmat financiare kanë përfituar edhe personat e punësuar.

    Numri i pagesave që janë realizuar është 1 mijë e 505, teksa vlera mbi 233 mijë euro.

    “Përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar – Nga Krahasimi i të dhënave të MFPT’së për skemat pensionale dhe ndihmat sociale me të dhënat e ATK’së, kemi vërejtur se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë dhe realizojnë të ardhura pensionale. Vlera e gabimit financiar për vitin 2024 ishte 233, 931 euro”, thekson raporti.

    Raporti vë në pah se Ministria ka paguar disa persona me më shumë se një pension.

    “Bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe sociale kemi identifikuar se Ministria kishte kryer pagesa në vlerë 1, 140,836 euro për përfitues të cilët gëzojnë më shumë se një pension”, thuhet në raport./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!