×
  • Lajme
  • Lajme / Konferenca

    Shtrenjtimi i rrymës për 16.1%, Murati: Qeveria s’ka kontroll mbi çmimet e importit

    Reporteri
    16 Prill 2025 | 12:30
    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

    Ministri në detyrë, Hekuran Murati në konferencën për media sot është pyetur edhe për vendimin e fundit të ZRRE-së për tarifat e reja të rrymës me rritje prej 16.1 për qind, duke thënë se Qeveria s’ka kontrollë mbi çmimet e importit, ndërsa shton se në atë që mund të kenë kontroll, në KEK, ai tha se çmimi aty s’është rritur asnjë cent më shumë, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Muratit, dy çështje janë që mund të kenë ndikuar në çmimin e rritjes.

    “Në pjesën ku Qeveria ka kontroll, së paku në afatshkurt, sepse qeveritë e mëhershme kanë pasë kontroll ndoshta në mënyrë të tërthortë se si të ndikohet që të kemi furnizim më të qëndrueshëm e të përballueshëm…duke bërë investime të nevojshme ashtu siç kemi avokuar kur kemi qenë në opozitë, por fatkeqësisht ato investime s’janë bërë kurrë, ka pasë ose devijim të projekteve ose tentime për të shkuar në terrene të cilat do të ndikonin në çmim të papërballueshëm. Sa na përket neve gjatë këtij mandati, pra çka ka qenë në kontrollin e qeverisë është çmimi i energjisë elektrike që KEK-u e prodhon sa e shet. Pra, vazhdon të jetë çmimi 30 euro për megavat orë, asnjë cent s’është rritur si rezultat i ndonjë vendimi apo insistimi të qeverisë”.

    “Çka ka ndikuar në rritjen e tarifave të energjisë elektrike, dy çështje, kostot operacione të cilat i miraton ZRRE-ja dhe çmimi i furnizimit nga importi”, tha Murati në konferencën për media.

    Ai tha se ka pasur rritje edhe në bursat ndërkombëtare, dhe lufta në Ukrainë e politikat tjera në kuadër të BE-së, nga ku blihet e importohet energjia, janë faktori e që siç tha ai Qeveria s’mund të ketë ndikim.

    “Ne si qeveri nuk kemi kontroll mbi çmimet e importit nuk kemi, aq sa nuk kemi kontroll mbi çmimin e naftës. Varësisht si sillet çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare, i njëjti çmim vjen edhe këtu”, tha ai.

    “Ngjashëm është edhe me energjinë elektrike. Fatkeqësisht viteve të fundit, për shkak të luftës në Ukrainë, edhe për shkak të politikave të tjera në kuadër të BE-së edhe në nivel global, ka pasë rritje në bursat ndërkombëtare, nga ku blihet dhe importohet energjia elektrike. Ky është faktori kyq në të cilin as nuk ka e as nuk mund të ketë kontroll. Si qeveri jemi përkujdesur që aty te komponenta ku kemi mundësi që të mos shkaktohet rritje, jemi përkujdesur të mos ketë”, tha Murati në konferencë për media.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!