×
  • Lajme
  • Lajme / Komentet

    Shtrenjtimi i rrymës, Rizvanolli propozim ZRRE’së: Të mos ketë fare rritje për ata që konsumojnë deri në 800kWh – për të tjerët sa më e ulët

    Reporteri
    07 Prill 2025 | 18:55

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se tashmë i kanë dërguar Zyrës së Rregullatorit për Energji komentet ndaj propozimit për tarifa.

    Përmes një video në faqen e saj në Facebook, Rizvanolli ka deklaruar se propozimi i Ministrisë që ajo udhëheq është që të mos ketë fare rritje për konsumatorët të cilët konsumojnë deri në 800 kWh në muaj, ndërsa për të tjerët rritja të jetë sa më e ulët dhe ata konsumatorë të ndahen në sa më shumë kategori ose blloqe, shkruan Reporteri.net.

    “Në këtë mënyrë të mos trajtohet njëjtë për shembull sikur dikush që shpenzon 1000kWh në muaj, sikur dikush që shpenzon 3000kWh në muaj. Në këtyë mënyrë ne mbrojmë familjet sa më shumë që të jetë e mundur pa e cenuar sigurinë e furnizimit dhe veçanarisht mbrojmë ata të cilët kanë nevojë më së shumti”, ka deklaruar Rizvanolli.

    Ndryshe, nga muaji i ardhshëm, rryma në Kosovë mund të shtrenjtohet për 15 për qind.

    Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.

    ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi deri më 31 mars të vitit pasues.

    Sipas këtij institucioni, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!