×
  • Lajme
  • Lajme

    Shukri Buja mungon në seancën gjyqësore, Gjykata jep urdhër për sjellje me detyrim

    Reporteri
    09 Shtator 2020 | 10:52

    Është lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në gjykatë ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, pasi ky nuk u paraqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë për seancën gjyqësore që ishte paraparë të mbahej në mëngjesin e së mërkurës (9:00).


    Ai akuzohet bashkë me nëntë persona të tjerë për rastin e njohur si “Feronikeli”.

    Në arsyetim për këtë mungesë, avokati i tij, Arianit Koci, ka thënë se Buja ka pasur simptoma të COVID-19 dhe në mëngjes ka shkuar në spital.

    “Klienti im më ka lajmëruar në mëngjes se nuk po e ndien veten mirë dhe i ka simptomat e COVID-19. Njëherësh më tha se do të shkojë në kontroll te mjeku. Sidoqoftë, në seancë e kuptuam se edhe një i akuzuar tjetër po mungon për shkak të sëmundjes”, ka thënë Koci për KOHËN.

    Siç mëson KOHA, në seancë ka munguar edhe Nebih Zeqiri, i akuzuari tjetër. Për të kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka thënë se ka marrë një fletëlëshim nga spitali si arsyetim për mungesë në seancë.

    Megjithatë, Kalludra i ka vlerësuar si të paarsyetuara mungesat dhe për këtë ka dhënë urdhër për sjellje me detyrim nga Policia e Kosovës.

    Buja ishte shpallur fajtor në fund të 2018-s për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Ai ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv por Apeli ka kthyer rastin në rigjykim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!