×
  • Lajme
  • Lajme

    Shukri Buja rikthehet në PDK – Tregon pse u rikthye në partinë e Kadri Veselit

    Reporteri
    02 Shtator 2019 | 23:03

    Shukri Buja është rikthyer përsëri në Partinë Demokratike të Kosovës, në të cilën ishte nga themelimi, ku një kohë mbante edhe postin kryetarit të Degës së PDK-së në Lipjan.


    Pas disa vitesh mungesë aktive në politikë, Buja tashmë po e ndihmon PDK-në për zgjedhjet e 6 tetorit.

    Buja e ka konfirmuar ekskuzivisht për Reporteri.net rikthimin e tij në PDK-në e Kadri Veselit, ndërsa ka treguar pse u rikthye në këtë subjekt.

    “Arsyeja kryesore e angazhimit tim politik ne PDK është sepse partitë tjera i kanë vënë vija të kuqe bashkëpunimit PDK-së, parti të cilat janë të detyruara me Kushtetutë e ligj, që të bashkëpunojnë edhe me Listën Serbe, ndërsa injorojnë rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës që e kanë votuar dhe e votojnë PDK-në. Kjo më ka shtyrë që të angazhohem dhe të dalë fuqishëm PDK-ja sepse në procesin për shtetndërtimin dhe shtetformimin ka qenë kontribuesja më e madhe”, ka thënë Buja ekskluzivisht për Reporteri.net.

    Ai ka treguar se ka pasur konsultime edhe me kreun e partisë Kadri Veseli që të rikthehet aktivisht në politikë.

    “Pas shume konsultave me PDK-në kam konsideruar që duhet të jem aktiv. Ka gati një muaj që vazhdimisht kemi pas kontakte me zyrtarë të PDK edhe me kryetarin Kadri Veseli. I kemi qartësuar shumë çështje që na kanë preokupuar dhe si do të orientohemi”, ka thënë Buja.

    Ai ka thënë se pas rikthimit do ta jap kontributin e tij që ta ndihmon sa më shumë PDK-në që të rritet jo veç në Lipjan por edhe në tërë vendin.

    “Jam rikthyer për të gjithë ata që më kanë përkrahur dhe respektuar në vazhdimësi. Do të vazhdojmë me PDK-në pasi Kosovën e presin procese shumë të vështira”, ka pohuar ai.
    I pyetur se a do të jetë në listen e PDK-së për deputet, Buja ka thënë se jo nuk do të jetë në garë.

    “Do ta respektoj qëndrimin e shefit të partisë që është një thirrje dhe vendim për ata që janë nën hetime me akuzë të cilët nuk janë fajtor sipas ligjit, por është një avancim në aspektin moral për t’iu dhënë mesazh që jemi këmbëngulës në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe kjo është një çështje e mirë edhe pse na paralizon disave dhe do të sakrifikohemi. Pra nuk do të jem as në listë, as nuk kam pretendime për ekzekutiv. Jam aktivizuar që ta ndihmoj PDK-në për zgjedhjet e reja”, ka pohuar Buja.

    Ai më tej ka pohuar se pret që PDK të dalë e para në zgjedhjet e reja.

    “Jemi në fushatë, dhe kur pretendojnë disa parti të vogla të dalin të para, nuk kam si të mos besoj që PDK do të jetë fituese e zgjedhjeve”, ka deklaruar Buja. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!