“Vonim ka, s’kanë pshtim. S’kanë qare pa u dorëzu”, kështu ka thënë deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla pas dy tentativave të dështuara për ta zgjedhur kryeparlamentare Albulena Haxhiun.
Meqë partia e parë nuk i kishte numrat, Sveçla duke aluduar në partitë që deri dje ishin në opozitë ka thënë se “nuk kanë qare pa u dorëzu”.
Në seancën e sotme konstituive, nga 61 vota sa duhen, në dy tentativa, Haxhiu mori vetëm 57. Përpjekja tjetër do të jetë të hënën.
Haxhiu nuk mori votat e mjaftueshme përkundër lutjes së ish-kryeparlamentarit Glauk Konjufca që partitë e tjera të reflektojnë dhe ta votojnë kandidaten e tyre.
Ajo vetë pas seancës konfirmoi se emri i saj do të jetë sërish propozimi i VV-së për kryeparlamentare. /Reporteri.net/