Kryeministri në detyrë, Albin Kurti së fundmi ka rënë pre e dy komedianëve rusë, të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Njëjtë sikur Kurti pre e tyre kishte rënë edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj. Më i kujdesshëm ishte treguar ish-presidenti, Hashim Thaçi.
Shakanë e njëjtë kishin tentuar t’ia bëjnë edhe Hashim Thaçit gjatë mandatit të tij si president. Mirëpo, ai kishte thënë se kabineti i tij janë treguar të kujdesshëm duke e preventuar atë.
“Mashtruesit kanë pretenduar të depërtojnë edhe në zyrën time, mirëpo ka pasur kujdes maksimal prej institucioneve këtu, sepse unë nuk mund të flasë me dikë ma qenë paraprakisht i informuar pa i njohur temat që mund ti flasë dhe pastaj pa u lidhur të dy kabinetet të presidentit të Kosovës me autoritetin që dëshiron të flasë. Ka qenë para shtatë-tetë muajsh kjo përpjekje e tyre për të biseduar me mua si president i Kosovës, falënderoj kabinetin që janë treguar të kujdesshëm dhe e kanë preventuar këtë mundësi të një komunikimit të drejtpërdrejtë të këtyre dy mashtruesve në emër të ish-presidentit Petro Poroshenko”, deklaronte atëbotë Thaçi.
Reagimi i Thaçit kishte ardhur pasi pre e të njëjtës situatë kishte rënë edhe ish-politikani maqedonas, Zoran Zaev. Ai kishte përmendur Thaçin.
Si kishte rënë pre e shakasë së rusëve, Ramush Haradinaj?
Në vitin 2019, dy homologët, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ranë pre e dy komedianëve rusë Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov që duke u shtirur si ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, folën me ta për çështje të rëndësishme nëpër të cilat po kalon rajoni. Ishte Zaev ai që foli edhe për çështjen e territoreve, duke treguar se kush qëndron prapa kësaj ideje.
Zaev e Haradinaj, të dy ranë pre e dy komedianëve rus, Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov, që duke përdorur identitete të rreme të liderëve të shteteve, telefonojnë personalitete të njohura, duke biseduar me to për tema të ndryshme.
Zaev përmes një telefonate që mori nga të dy këta, duke menduar se po fliste me ish-presidentin e Ukrainës Petro Poroshenkon foli për planin për ndryshim të kufijve të Kosovës, duke thënë se mbrapa këtyre qëllimeve qëndrojnë interesat e Rusisë dhe Turqisë.
Në një telefonatë që ishte publikuar në faqen e dy komedianëve në YouTube, Zaev duke menduar se po fliste me Poroshenkon ka deklaruar se për idenë e ndryshimit të kufijve kanë rënë dakord edhe dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, por kjo mund të shkaktojë një luftë të re në Ballkan dhe se kancelarja Merkel është totalisht kundër idesë.
Megjithase audio nga ajo bisedë nuk është publikuar , ishte bërë e ditur se edhe kryeministri Haradinaj kishte rënë pre e komedianëve nga telefonata e rrejshme ku këta ishin prezentuar në emër të ish-presidentit Petro Poroshenko.
Haradinaj, pati bërë të ditur se e përkrahë “mikun e tij”, Petro Poroshenkon për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe se kryeministrit të ardhshëm, Vovan Lexusov i dëshiron të gjitha të mirat dhe fitore për ta udhëhequr Ukrainën.
Realisht, emri i kryeministrit “Vovan Lexusov” është një emër i rremë, respektivisht është kombinim i emrave të dy komedianëve Vovan dhe Lexus .
Haradinaj, i ishte përgjigjur telefonatës së rreme kinse nga Poroshenko përmes një shkrimi në Tëitter duke mbështetur Poroshenkon për president dhe duke thënë se Vovan Lexusov (një emër i rrem) duhet të bëhet kryeministër i Ukrainës.
“E uroj popullin ukrainas për zgjedhje të lira dhe demokratike. Mikun tim Poroshenko dhe kryeministrin e ardhshëm Vovan Lexusov i dëshirojë të gjitha të mirat dhe fitore për ta udhëhequr Ukrainën drejt integrimeve euroatlantike. Kosova dhe Ukraina qëndrojnë së bashku si popuj të lirisë dhe prosperitetit”, kishte shkruar Haradinaj.
Haradinaj i ishte premtuar edhe se Kosova do të njihet nga Ukraina, nëse Poroshenko fiton zgjedhjet presidenciale.
Komedianët e kishin konfirmuar se kanë biseduar me Haradinaj në një prononcim për agjencinë ruse të lajmeve Ria Novosti, derisa kishin thënë se një gjë e tillë kishte ndodhur tre herë.
Lexus dhe Vovan, dyshja emrat e të cilëve janë, Alexei Stolyarov dhe Vladimir Kuznetsov njihen si “prank callers” (thirrësit mashtrues), sëkanë mashtruar këngëtarin, Elton John dhe presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Kritikët, megjithatë, dyshojnë se prapa çiftit qëndron një sekret i errët, me dyshimin se kanë lidhje me shërbimin e sigurisë të Rusisë.
Dyshja morri vëmendjen e mediave, kur dy komedianët arritën t’a bindin politikanen Nadezhda Savchenko – një ukrainase e cila akuzohet në Rusi për vrasjen e dy gazetarëve rus, që të ndalë grevën e urisë.
Përmes një letre të rreme dhe thirrjeve telefonike, dyshja i kishin bindur avokatët e Savchenkos se presidenti ukrainas, Petro Poroshenko u kishte bërë një kërkesë personale që ajo të ndalonte grevën e urisë.