Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, vlerëson se PDK-ja e ka votuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike shkaku i rezultatit të zgjedhjeve në Podujevë.
“U pa te Ligji për Rimëkëmbje. Fillimisht u pat votu nga PDK-ja në Komision, pastaj dolën kundër, se thanë kemi amandamente. Pastaj u kthyen e votuan dhe u munduan me paraqit kinse po e bëjnë për interesa të qytetarëve, por realisht ishte si rezultat i rezultatit zgjedhor në Podujevë. Nëse i shikojmë edhe këto amandamente, secili që e kupton buxhetin dhe financat, e sheh që janë më tepër premtime të fushatës zgjedhore, këto të PDK-së, sesa që kanë të bëjnë me realitetin. Janë premtime për një fushatë zgjedhore potenciale që pritet ta kemi shumë shpejt”, ka thënë Murati në DESKUN e KTV-së.
Murati ka shtuar se edhe subjektet tjera politike janë pajtuar se nuk kanë nga ikin nga zgjedhjet.
“Janë pajtuar të gjitha subjektet tjera se nuk kanë nga ikin prej zgjedhjeve. Sa më shpejt që e kuptojnë e veprojnë, do të jetë më mirë. Afatet për buxhet po afrohen, po ashtu edhe për president, sa më gjatë që e mbajnë të uzurpuar pushtetin këto subjekte politike, aq më keq futet Kosova në një krizë potenciale qoftë buxhetore apo politike. Sepse sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, buxheti skadon më 31 dhjetor dhe nëse nuk ka qenë veç zgjedhor, në katër muajt e fundit nuk ka pasur zgjedhje, atëherë mund të vazhdohet me automatizëm deri në fund të janarit. E Kuvendi mundet me vazhdu edhe dy muaj shtesë, pra maksimumi deri në fund të marsit mund të vazhdohet me ndarjet buxhetore. E kemi pastaj problem edhe afatin për zgjedhjen e presidentit. Mbetet të nxjerrët një interpretim se kur ka filluar ai afat, pasi realisht në Kushtetutë nuk ka shprehje apo tekst eksplicit sa i përket rastit të dorëheqjes, se si duhet të veprohet. Por në rast të përfundimit të mandatit procedura duhet të fillojë së paku 90 ditë paraprakisht, para skadimit të mandatit të presidentit. Nëse kemi një dorëheqje duhet të kemi prej datës së dorëheqjes 90 ditë me u zgjedh presidenti. Por në maksimumin e mundshëm e kemi ushtruesin e detyrës, që mund ta mbajë më së shumti këtë post për gjashtë muaj. Nëse ka filluar në nëntor, atëherë po flasim për fillimin e muajit maj. Pas asaj futet Kosova në një spirale krize politike të paprecedent dhe askush realisht nuk di se si duhet ta gjejmë zgjidhjen”, ka thënë Murati.