Udhëheqësi i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa, ka treguar më shumë detaje dhe ka dhënë shpjegimin shkencor për tërmetin e fuqishëm që e ka goditur sot Shqipërinë në orët e para të mëngjesit.
“Territori i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Malit të Zi [por, edhe ne nuk jemi larg] janë afër kontaktit me pllakat e Afrikës dhe EuroAzisë dhe nga presioni i madh i këtyre dy pllakave është krijuar një mikropllakë që quhet Adria”, ka thënë ai në Klan Kosova.“Nga presioni i madh i këtyre dy pllakave gjenerojnë dhe lindin tërmetet”.
Por, a ka mundur të parashikohet ky tërmet me pasoja tragjike që deri tani ka lënë 20 të vdekur dhe mbi 600 të lënduar?
“Deri më tani nuk ka ndonjë pajisje që tregon se kur do të ndodhë tërmeti, lokacionin, madhësinë dhe kohën e tërmetit.
Faktikisht, Institutet Sizmologjike e bëjnë monitorimin e ngjarjes sizmike duke u bazuar në të dhënat që çdo ditë ka tërmete me intensitet më të ulët.
Kështu kuptohet ku janë zonat me aktivitet sizmik të lartë duke i krijuar edhe hartat që në të ardhmen të jenë si bazë për ndërtimet”.
Mustafa ka thënë se i tërë rajoni i Ballkanit vazhdon të jetë në një presion tektonik.
“Harta e sizmicitetit ose epiqendrave tregon që i tërë rajoni i Ballkanit është në presion tektonik ku gjenerohen tërmete. Me daljen në sipërfaqe të energjisë nga brendësia e tokës krijohen tërmete”.Por, a duhet të ndjehet rreziku edhe në vendet përreth?
“Numri i tërmeteve që janë 42 dhe fuqia e tërmetit që ka goditur Shqipërinë në orët e mëngjesit na jep mundësitë që ne të merremi më seriozisht me çështjet e vendeve përreth, sidomos territori i Kosovës”
.“Ky tërmet i fuqishëm që ka goditur sot Shqipërinë në orët e para të mëngjesit është ndjerë në Kosovë dhe në vendet e tjera përreth sepse ka qenë i fuqisë shumë të madhe që ne e quajmë tërmet shumë i fuqishëm dhe shkatërrues”.Udhëheqësi i Institutit Sizimiologjik të Kosovës ka treguar se si duhet të veprohet ditët në vijim pas një goditje të fuqishme si kjo.
“Ka arsye për frikë sepse një tërmet i fuqishëm godet dhe nëse ka shkaktuar dëme në elemente strukturore, atëherë edhe pasgoditjet që janë me intensitet më të ulët janë shkatërruese”.
“Kjo për arsye se tërmeti i fuqishëm ka shkatërruar elementet strukturore dhe strukturura nuk arrin ta ruajë integritetin atëherë edhe një pasgoditje mund të jetë një tërmet katastrofik edhe nëse është i intensitetit të ulët”.
“Para se të godasë tërmeti ka pasë disa paragoditje nga 3.5 deri 4.8 të shkallës së Rihterit, ka qenë goditja dhe më pas kemi pasë 17 pasgoditje që po ashtu janë të rrezikshme”.Por, si duhet të veprojnë autoritetet shqiptare në një situatë të tillë kur Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm ku ka viktima, shumë të lënduar dhe po vazhdojnë kërkimet edhe për shumë persona të tjerë?
“Masat që duhet të ndërmerren nga shteti është që zyrtarët duhet të dalin dhe të vlerësojnë ndërtesat nëse ka dëme në elemente strukturore.Nëse ka dëme të tilla, qytetarët nuk guxojnë të kthehen derisa gjendja të stabilizohet dhe vlerësohet nga zyrtarët që janë kompetentë për vlerësimin e asaj ndërtese”.
“Nëse nuk ka dëme në elemente strukturore dhe ka dëme vetëm të elementeve jostrukturore, atëherë duhet të vlerësohet nëse qytetarët mund të kthehen apo duhet të vazhdojnë të presin në ambientet e hapura”.