×
  • Lajme
  • Lajme / Adresimi i kryeministrit në Berlin

    “S’ka fluturime komerciale Kosova-Serbi që 25 vjet”, thotë Kurti në Berlin

    Reporteri
    14 Tetor 2024 | 16:14

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova.

    Kështu u shpreh në sesionin e dytë të Samitit të Procesit të Berlinit rreth Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Energjinë dhe Lidhshmërinë, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Madje sipas Kurtit, një gjë e tillë s’shërben pozitivisht as për marrëdhënie fqinjësore, as për adaptimin klimatik.

    “25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova. Kjo nuk shërben pozitivisht as për marrëdhënie fqinjësore, as për adaptimin klimatik. Përkushtimi ynë ndaj rritjes së qëndrueshme dhe qëndrueshmërisë klimatike është i qartë. Megjithatë, qasja në financimin klimatik është vendimtare për arritjen e këtyre synimeve ambicioze. Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor duhet të na ndihmojë për të ecur drejt një tranzicioni të drejtë”, ka potencuar Kurti.

    Njëherit, kryeministri ka thënë se vetëm këtë vit, Kosova ka shënuar verën më të nxehtë ndonjëherë, me një rritje në thatësira dhe mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, teksa ka potencuar se Qeveria është e përkushtuar ndaj politikave që sigurojnë trancizion të drejtë nga një e ardhme e qëndrueshme.

    “Jemi duke hyrë në një fazë kritike dhe të paparashikueshme të krizës klimatike në nivel global. Vetëm këtë vit, Kosova ka shënuar verën më të nxehtë ndonjëherë, me një rritje në thatësira dhe mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm. Jemi të përkushtuar ndaj politikave që sigurojnë tranzicion të drejtë kah një e ardhme e qëndrueshme. Strategjia jonë gjithëpërfshirëse e energjisë nënvizon qëllimin tonë që të bëhemi neutral ndaj karbonit (Carbon Neutral) deri në vitin 2050”, ka thënë tutje kryeministri.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!