×
  • Lajme
  • Lajme

    ‘S’ka kushte për mbajtjen e seancës për mocionin’ – Kuvendi mund të mbajë seanca edhe diku tjetër

    Reporteri
    21 Mars 2020 | 12:59

    Një deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje tha dje se ‘nuk ka kushte’ që të mbahet një seancë në të cilën do të votohej rrëzimi i Qeverisë së Kosovës.


    Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, e cila me profesion është epidemiologe, thotë se në situatën në të cilën sot gjendet Kosova me koronavirus, e ku kujtojmë se numri i të infektuarve ka mbërritur shifrën 24, rregullat e veprimit sot i përcakton COVID-19.

    “A mos po mendoni se imuniteti politik i deputetit, nënkupton edhe imunitet karshi sëmundjeve??? NUK KA KUSHTE PËR MBAJTJE TË SEANCËS e aq më pak për debat parlamentar! COVID-19 sot i përcakton rregullat e veprimit, mos harroni! Shto kësaj rreth 150 komplete uniformash e maskash specifike mbrojtëse, e që sot janë më se të nevojshme për punëtorët shëndetësorë. Mirëpo edhe me marrje të të gjitha masave, NUK KA KUSHTE PËR DEBAT! E kemi një Qeveri të përgjegjshme, ta lejojmë të veprojë me përkrahjen tonë. Të gjitha të tjerat mund të presin deri në pezullimin e gjendjes emergjente. Mos po doni me rrëshqit në diktaturë? Shëndeti para së gjithash! Dr. Fatmire Kollçaku
    Epidemiologe dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes”, ka shkruar ajo dje.

    Por, në Rregulloren e Punës së Kuvendit, thuhet se seancat e Kuvendit mund të mbahen edhe diku tjetër.

    Në nenin 4 të saj, thuhet si në vijim:
    “Mbledhjet jashtë selisë
    Kuvendi dhe trupat e punës së tij mund të mbajnë mbledhje edhe jashtë selisë së Kuvendit”.

    Në fakt më herët edhe ka ndodhur kjo gjë, shkruan Reporteri. Në kohën e protestave të Vetëvendosjes dhe AAK-së kundër demarkacionit, Kryesia e Kuvendit kishte vendosur disa herë që seancat të mbaheshin në një sallë alternative në objektin e Kuvendit. Në atë kohë, VV dhe AAK sulmonin me gaz lotsjellës, pasi nuk dëshironin të lejonin të miratohej Demarkacioni me Malin e Zi dhe Marrëveshja për Asociacionin për Komunat Serbe.
    Zyrtarë të Kuvendit të Kosovës kanë folur për Reporterin rreth nenit 4 të Rregullores.

    Një zyrtar i këtij institucioni, në kushte anonimiteti ka thënë për Reporterin se ‘nëse konsiderohet se në sallën e seancave nuk ka kushte, mund të gjendet një lokacion tjetër i përshtatshëm’.

    “Kryesia dhe trupat tjerë të Kuvendit duhet të garantojnë mbarëvajtjen e një seance. Është obligim i tyre”, ka thënë ky zyrtar.

    Sipas kësaj, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani do ta ketë vështirë të stopojë mbajtjen e saj, nëse nuk ka një arsyetim të fortë për këtë.
    “Hapësira nuk e përcakton Kuvendin. Mbledhjet, nëse është e nevojshme mund të mbahen edhe në salla tjera, gjithmonë duke u siguruar se janë kushtet optimale”, ka thënë zyrtari i Kuvendit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar tashmë mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Seanca pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme. Të gjitha partitë janë pro rrëzimit, ani pse vendi gjendet në masa emergjente të pandemisë. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!