Besnik Tahiri dhe Pal Lekaj, dy prej figurave të rëndësishme të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, definitivisht nuk do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, ndonëse ende nuk ka përfunduar numërimi i të gjitha votave.
Ish-shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri në zgjedhjet e 9 shkurtit ka marrë vetëm 8 mijë e 190 vota, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Pal Lekaj ka marrë 7 mijë e 982 vota.
Jashtë Kuvendit do të mbetet edhe ish-deputeti Shemsedin Dreshaj. Edhe ish-deputetja Albana Bytyqi, sipas numërimeve deri më tani që po shkojnë drejt fundit, ka shumë pak gjasa të jetë pjesë e legjislaturës së re së Kuvendit të Kosovës.
Koalicioni i AAK-së me NISMA’n, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së ka siguruar 8 deputetë.
Sipas përditësimit të fundit mandatin e deputetit brenda këtij koalicioni e kanë siguruar Ramush Haradinaj me 38 mijë e 346 vota e Fatmir Limaj me 22 mijë e 528 vota, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Daut Haradinaj deri më tani ka siguruar 22 mijë e 99 vota. Bekë Berisha 13 mijë e 192 vota. Time Kadriaj ka 13 mijë e 161 vota.
Arbëreshë Krasniqi e NISMA’s, po ashtu, ka siguruar mandatin në Kuvend me 10 mijë e 958 vota.
Edhe bashkëpartiakja e saj Xhevahire Izmaku falë kuotës gjinore mund të jetë pjesë e Kuvendit të ri, ndonëse e vendosë KQZ-ja, sipas shpërndarjes së mandateve me kuotën gjinore brenda të gjitha partive.
Por gara më e ngushtë brenda koalicionit po zhvillohet mes kandidatit të AAK-së Lahi Brahimaj dhe atij të NISMA’s, Vesel Krasniqi, për mandatin e fundit të fituar me votë të rregullt.
Brahimaj i AAK-së aktualisht është më afër të qenurit deputet pasi deri më tani po prinë me 10 mijë e 775 vota në total, kurse Krasniqi i NISMA’s ka 10 mijë e 529 vota. /Reporteri.net/