×
  • Lajme
  • Lajme

    Skandali në UP: Për 6 vjet në Fakultetin e Mjekësisë ligjëron mjekja që dyshohet se u pranua me certifikatë të falsifikuar

    Reporteri
    03 Dhjetor 2019 | 16:35

    Prej vitit 2013, në Fakultetin e Mjekësisë në UP, ligjëron një mjeke që dyshohet se ka falsifikuar të dhënat e saj personale, për t’u pranuar si ‘Profesor Asistent’ në Universitetin publik “Hasan Prishtina”. Madje nga “profesor asistent” ajo është avancuar në “profesor i asocuar”. Për rastin e Antigona Hasanit, kolegët e saj, drejtues të Fakultetit të Mjekësisë, sugjerojnë Reporterin që t’u drejtohet organeve të drejtësisë, pa e llogaritur fare përgjegjësinë e tyre që brenda stafit akademik, tash e gjashtë vite, mund të kenë një ligjëruese që nuk plotëson kriteret e përcaktuara me statutin e UP-së. Rektorati heshtë për rastin. Vetë Hasani thotë se këto pretendime janë “shpifje të ulëta” të kolegëve të saj.


    Një kandidati i cili zgjidhet për herë të parë të jetë pjesë e stafit akademik të Universitetit “Hasan Prishtina”, me statut, parashihet se nuk duhet të jetë më i vjetër se 50 vjet.

    Por, kur mjekja Antigona Hasani ia mësyu vendit të punës si ligjëruese në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 2013, ajo e kishte të kaluar këtë moshë.

    Megjithatë, gjeti një zgjidhje, që asaj i mundëson tash e gjashtë vite të ligjërojë në këtë fakultet, fillimisht si profesoreshë asistente, e më edhe si profesor i asocuar falë avancimit.

    Antigona Hasani dyshohet se falsifikoi certifikatën e saj të lindjes dhe prezantoi veten në CV, një vit më të re.

    Në CV-në e saj, e cila është edhe publike në faqen e Universitetit të Prishtinës, data e lindjes së Hasanit figuron 12 dhjetor 1963.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka hulumtuar rastin e saj dhe ka gjetur dy dokumente origjinale, në të cilat viti i lindjes së mjekes rezulton të jetë 1962.

    Dokumenti i regjistrimit në librin amëz dhe certifikata e martesës së Antigona Hasanit, të siguruara nga Reporteri.net, dëshmojnë se ajo është një vit më e vjetër sesa është paraqitur nëpër dokumentet që janë kërkuar për t’u bërë ligjëruese në fakultet. (Duke e parë në interes të publikut pasi bëhet fjalë për një ligjëruese në institucionin më të lartë arsimor në vend, Reporteri ka vendosur t’i publikojë këto dokumente).

    Dokumenti i regjistrimit në librin amzë
    Certifikata e martesës

    Në të dy dokumentet të cilat janë në gjuhen serbe dhe me shkronja të alfabetit cirilik, ditëlindja e Antigona Hasanit rezulton të jetë 12 dhjetor 1962. Madje, në dokumentin e librit të amzës, tregohet edhe data e regjistrimit të saj nga ana e prindërve, që është fiks një muaj pas lindjes së saj, 11 janar 1963.

    Antigona Hasani, e kontaktuar përmes e-mailit, nga Gazeta Online “Reporteri.net”, të hënën, në vend se të përgjigjet, ka kërkuar informacione shtesë për gazetarin që ka dërguar pyetjet. Ndërkohë, të nesërmen ka pretenduar se dyshimet se ka falsifikuar ditëlindjen e saj janë shpifje.

    “Për herë të dytë po ballafaqohem me shpifje të ndyta të kolegeve për qëllime të tyre të ulëta. Deklaroj me plotë përgjegjësi se asnjëherë nuk kam falsifikuar asnjë dokument dhe as datën e lindjes”, thotë ajo, duke pretenduar se rasti është hetuar edhe nga Prokuroria e Shtetit. (Këta të fundit ende nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara, dhe sapo të ndodhë një gjë e tillë do të publikohen).

    Tutje, Hasani ka ‘kërcënuar’ Gazetën Online “Reporteri.net” se në rast të botimit të artikullit “te jeni të sigurt se do ta denoncojë në Prokurori dhe Këshill të Mediave”.

    “Po ashtu, nëse eventualisht publikohet ndonjë dokument pa autorizimin tim, do ta denoncojë në Agjencionin Shtetëror për Mbrojtjen e te Dhënave Personale”, thotë ajo.
    Përgjigje e as sqarime tjera gazetës nuk i ka dhënë Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Përkundër se rektori Marjan Dema, gabimisht ka dërguar në e-mail adresën e Reporterit një mesazh të brendshëm, që konfirmohet se ka pranuar pyetjet.

    E heshtur ndaj këtij rasti ka zgjedhur të qëndrojë edhe Dekanja e fakultetit të Mjekësisë Suzana Manxhuka-Kerliu. Por, disa përgjigje të shkurtra ka dhënë prodekani për çështje akademike të këtij fakulteti Sefedin Muçaj.

    Ai ka konfirmuar se Antigona Hasani është staf i rregullt i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Publik “Hasan Prishtina“ dhe ka thirrjen aktuale “Profesor i Asocuar” (Prof. Asoc. dr.). Ndonëse, në faqen zyrtare të UP-së, ajo ende figuron vetëm si “profesor asistent” e lëndës “Anesteziologji me reanimacion”, në Fakultetin e Mjekësisë.

    Por, sipas Muçajt, çështja e dyshimeve për falsifikim të ditëlindjes në mënyrë që Hasanit t’i mundësohet pranimi si ligjëruese në UP, nuk u përket atyre.

    “Për këtë çështje ju sugjerojmë te ju drejtoheni organeve kompetente – organeve te drejtësisë të Republikës së Kosovës”, thotë ai në përgjigjen e tij për Reporteri.net, duke mos e llogaritur fare përgjegjësinë e tyre që brenda stafit akademik tash e shtatë vite kanë një ligjëruese, madje të avancuar në punë, që nuk plotëson kriteret e përcaktuara me statutin e UP-së.

    Sidoqoftë, ky mashtrim i mundshëm i mjekes, i ka mundësuar asaj që tash e gjashtë vite të ligjërojë në fakultetin e Mjekësisë, duke evituar kështu rënien ndesh me piken 1.6 të nenit 177 të statutit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

    Duhet theksuar se një veprim i tillë përbën edhe shkelje të ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës, pasi që “falsifikimi i dokumentit” sikurse “mashtrimi” janë vepra penale, të dënueshme sipas Kodit Penal.

    Antigona Hasani në CV-në e saj tregon se ka të përfunduar fakultetin e Mjekësisë, në UP, në vitin 1987. Pastaj ka specializuar në Anesteziologji dhe Reanimacion, në vitin 1999, në një universitet në Stamboll të Turqisë. Për të përfunduar pastaj magjistraturën e Shkencave të Mjekësisë, në UP, në vitin 2005, dhe së fundi për të doktoruar në vitin 2011 në universitetin ”Sv.Kiril i Metodij” në Shkup. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!