Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
Hyseni po pretendon se Abdixhiku është njësi e Vetëvendosjes brenda LDK-së, duke thënë se ka edhe tjerë që i përkasin të njëjtit grup, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Unë flas atë që e shoh dhe atë që e kam pa kur kam qenë në kryesi. Dhe unë i kam identifikuar me emër e mbiemër cilët janë njësia e Vetëvendosjes në kryesi të LDK-së. Prej Lumir Abdixhikut, a do tjetër pos Lumirit?!, edhe do tjerë pas tij”, tha Hyseni në TV1.
Ish-ministri i Jashtëm nga LDK, Skender Hyseni, shtoi se brenda partisë ekziston një grup që më tepër është LVV sesa LDK, si një lloj ‘filiali’ i partisë në pushtet.
“Më vjen keq që LDK-ja ka degraduar në këtë çështje kaq shumë, por unë nuk e gjej po përpiqem ta gjej arsyen këto ditë pse, por e vetmja përgjigje që po jap vetvetes është që në LDK ka një grup që janë më shumë Vetëvendosje sesa LDK…janë të ndikuar, janë njëfarë filali i Vetëvendosjes… ka njëfarë mendësie aty të Vetëvendosjes. Nuk mund ta luftosh Vetëvendosjen me metodat e Vetëvendosjes. Duhet të jesh pak më kreativ”, u shpreh Hyseni. /Reporteri.net/.