Policia në Ferizaj ka ndaluar një 29-vjeçar në rrugën “Tirana” në Shtime, në të cilin kanë hasur se po drejtonte veturën e tij nën masën mbrojtëse “ndalim i drejtimit të mjetit”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ndaj tij, policia ka shqiptuar gjobë 500 euro, pesë pikë negative si dhe i është konfiskuar përkohësisht vetura.
Poashtu atij i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj.
Komunikata:
Gjobë ndaj shoferit në Shtime që drejtoi veturën nën masën mbrojtëse, ndalimi i drejtimit të automjetit
Ferizaj, 20/05/2024
Policia e stacionit në Shtime rreth orës 16:15 në rrugën “Tirana” në Shtime ka ndaluar shoferin M.M (M/K) i moshës 29 vjeçar, i cili ka drejtuar veturën nën masën mbrojtëse, ku me ligjin e ri parashihet gjobë, vazhdim i masës mbrojtëse, pikë negative dhe konfiskim i automjetit.
Ndaj shoferit policia i ka shqiptuar një gjobë kundërvajtëse prej pesëqind (500) euro, pesë (5) pikë negative, vazhdim i masës mbrojtëse edhe për gjashtë (6) muaj, si dhe u janë konfiskuar përkohësisht automjetet.
Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor, të mos drejtojnë automjetet nën masën mbrojtëse të shqiptuar më herët.
Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë.
Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192,0290/326-250 & 0290/322-406.