×
  • Lajme
  • Lajme

    S’miratohet propozim-vendimi për Avokatin e Popullit

    Reporteri
    11 Maj 2021 | 16:19

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, as në mbledhjen e sotme nuk ka arritur të miratojë propozim-vendimin të Avokatit të Popullit, lidhur me zgjedhjen në Kuvend të pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.


    Megjithëse u tentua të vihet në votim nga kryetarja e komisionit, diskutimi rreth procedimit në seancë edhe të raporteve që janë ngritur në komision në tri mbledhjet e fundit e pamundësuan atë.

    Për këtë arsye, deputetët vendosën që nesër të mblidhen sërish pas marrjes së një rekomandimi për këtë çështje nga zyra ligjore e Kuvendit. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci tha se shqetësimet e ngritura në mbledhjet e kaluara duhet të procedohen në seancë në mënyrë që deputetet të bëjnë zgjedhjen e duhur.

    “Të procedohet në seancë në bazë të interpretimit ligjor që kemi marrë edhe nga zyra ligjore. Propozimi ynë është se qysh do që votohet rekomandimi për seancë t’i bashkëngjiten edhe dokumentacionet përkatëse që i kemi si komision. Të jenë gjithë deputetët të informuar me shqetësimet që janë ngritur në takim të komisionit. Duke përfshirë procedurën ligjore, dokumentacionin nga Avokati i Popullit që kemi pas”, tha ajo.

    Por, këtë e kundërshtoi anëtarja e komisionit nga PDK, Ariana Musliu, e cila tha se dërgimi në seancë materialeve tjera është e panevojshme.

    “Ne i kemi shqyrtuar të gjitha, kemi marrë opinionet ligjore dhe kemi përfunduar. Nuk ka nevojë që të dërgohen gjitha materialet në seancë”, tha ajo.

    Derisa lidhur me tërë procesin e zgjedhjes së pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit, kryetarja e komisionit, Duda Balje tha se i tërë procesi ka qenë transparent.

    “Kemi qenë shumë transparent vetëm një takim kemi pasur pa medie”, tha ajo. Krahas kësaj, komisioni miratoi edhe raportin vjetor të institucionit të Avokatit të Popullit.

    Ky i fundit, Naim Qelaj tha se ndryshimet e shpeshta në qeverisje dhe pandemia kanë bërë që vendimet e tyre mos të jenë në respektim të standardeve që janë për mbrojtje të drejtave të njeriut. I pyetur nga deputetët, Qelaj tha se institucionet kanë dështuar t’iu ofrojnë mbështetje të dhunës në familje.

    “Ndryshimet e shpeshta në qeverisje dhe pandemia kanë ndikuar që jo shpesh herë vendimet e tyre mos me qenë në respektimin të standardeve që janë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ne jemi në fazën e analizës më të thellë për të parë, qoftë masave kufizuese, qoftë masave mbështetëse në këtë periudhë. Kemi numër të madh të ankesave që janë adresuar për këto masa”, u shpreh ai.

    Komisioni vendosi që në mbledhjen e radhës, po ashtu të diskutohet shqyrtimi i propozimit për nismën legjislative lidhur me Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna nё Familje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!