Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, sqaroi në Tiranë vendimin për të mos njohur Kosovën si shtet të pavarur. Gjatë një konference për shtyp me kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begaj presidenti sllovak theksoi se qëndrimi ndaj Prishtinës zyrtare nuk ka lidhje me kombin shqiptar.
“Ne kemi diskutuar këtë çështje me presidentin e Shqipërisë. Në lidhje me pozicionin e Sllovakisë në raport me Kosovën, ky vendim nuk ka të bëjë me kombin shqiptar, për ne kombi shqiptar është një mik. Por vendimi për të mos njohur Kosovën është bazuar mbi rregullat e diplomacisë sonë.”, tha Peter Pellegrini, Presidenti i Sllovakisë.
“Pozicioni i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, mbështetës i palëkundur i Kosovës, sepse Kosova është pjesë e stabilitetit dhe kontribuuese e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe patjetër që ne do të jemi mbështetësit e saj për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, në organizatat ndërkombëtare dhe në punën tonë për të bërë të mundur sa më shumë njohje të reja për Kosovën dhe patjetër për të biseduar edhe me vende të tjera që nuk e njohin Kosovën për të shikuar alternativa, siç është rasti i Sllovakisë me njohjen e dokumentit të udhëtimit apo me pasaportën që njihet si dokument.”, u shpreh Begaj.
Sllovakia është një prej 5 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Përtej çështjes së Kosovës, dy presidentët diskutuan rrugën e Shqipërisë drejt Brukselit, dhe kreu i shtetit sllovak mbështeti ambicjen e vendit tonë për t’u anëtarësuar në BE në vitin 2030./vizionplus/