UNDP, program i Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar vendet e varfra dhe vendet në zhvillim, ka zhvilluar një sondazh së fundmi për politikanët kosovarë. Në raport prin kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ku niveli i kënqashmërisë së qytetarëve me punën e saj është 72.4%, pasuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti me 65.4%.
Pas publikimit të këtij raporti, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, këshilloi të lexohet patjetër ky raport, dhe thotë se, “statistikat flasin vetë”, duke aluduar në knaqshmërinë e qytetarëve në Osmanin e Kurtin.
Por ky vlerësim i ambasadorit gjerman siç duket fare nuk i ka pëlqyer kreut të LDK-së, Isa Mustafa, i cili sot i ka reaguar atij përmes një shkrimi në Facebook, duke thënë se këto janë simpati personale e më së paku vlerësime, shkruan Reporteri.net.
Postimi i Mustafës:
Të nderuar miq
U mundova dje dhe sot të lexoj statistikat , sipas sugjerimeve të një ambasadori të një vendi shumë të respektuar, se ato flasin vet.
E pyeta veten, si mundet një qeveri ku për shkak të pandemisë kanë mbetur të punojnë edhe 5 ministra të LDK-së, e cila dy herë shkeli Kushtetutën, të ketë përkrahje të tillë. Një qeveri e cila shkarkon borde dhe e pranon publikisht se po i instalon partiakët e vet. Nuk më folën rezultatet.
Nuk besoj se duhet të shkelet Kushtetuta për ta fituar perceptimin nga qytetarët.
Nuk besoj, poashtu, që institucionet e bllokuara nga Covid-19, të cilat nuk mbajnë takime dhe aktualisht janë jofunksionale, marrin përkrahjen e mbi 3/4 të të anketuarëve me telefon nga UNDP për punën e mirë të tyre.
Këto mund të jenë simpati personale. Më së paku vlerësime!
Prandaj, po i kexoj por, që flasin nuk më flasin këto statistika! IM