×
  • Lajme
  • Lajme / Matja e marsit

    Sondazhi për zgjedhjet përplasë pozitë e opozitë, si reaguan nga PDK, LDK e AAK

    Reporteri
    06 Prill 2024 | 19:01

    Pozitë e opozitë kanë vazhduar ditën e sotme përplasjet, pas publikimit të sondazhit të fundit  mbi zgjedhjet të realizuar nga kompania “UBO Consulting”, e të publikuar mbrëmë nga gazeta online Reporteri.net.

    Sipas të dhënave të sondazhit që e ka publikuar të premten gazeta online Reporteri.net, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë forca e parë politike në Kosovë. Madje, partia e kryeministrit Albin Kurti në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë në përqindje duke shkuar në 49.5%.

    PDK-ja vazhdon të pozicionohet e dyta në renditje, sipas UBO Consulting, duke rënë pak, me 17.1 për qind.

    Ndërsa LDK-ja, sipas sondazhit, në tre muajt e fundit ka rënien pak më të madhe dhe duke rezultuar në 16 për qind, duke u renditur kështu si forca e tretë politike në Kosovë, me trendin më të madh të rënies në muajt e fundit, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Reagime ka pasur nga të dy palët.

    Zyrtarët e LVV-së kanë thumbuar veçanërisht LDK-në, duke ironizuar se “do të jetë në luftë me PDK-në për vendin e dytë”.

    “Mendoj që lufta kryesore do të jetë mes PDK dhe LDK për vendin e dytë. Ndërsa populli ashtu siç ka zgjedh në vitin 2021 edhe këtë vit nëse mbahen zgjedhjet deri në fund vit të rregullta populli ka vendos dhe sondazhi po tregon që 50% do ta mbështesin Albin Kurtin për kryeministër të vendit dhe për punën që është bërë deri më sot si në qeverisje ashtu edhe në veriun e vendit dhe në arenën ndërkombëtare”, tha  deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.

    Thumba për LDK-në pati edhe nga deputeti  tjetër i VV-së, Enver Dugolli. Dugolli tha se  luftën për vendin e dytë me PDK-në, LDK nuk do ta ketë të lehtë, shkruan Reporteri.net.

    “UBO ju paska nxjerr punë këtyre të LDK-së sepse luftën për vend të dytë me PDK-në si duket nuk do ta kenë të lehtë.
    Kuptohet, kjo qe shohim këtu është pa diasporen. Nuk po dua të flas më shumë e çka do ndodhë kur t’i shtojmë edhe diasporën…”, ka shkruar Dugolli.

    Ndërkaq zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka mbrëmë ironizoi duke thënë se kryetarit të LDK-së, Lumi Abdixhiku do t’i dalë punë që të publikojë një video të re.

    “Qenka publiku sondazhi i fundit i bërë nga UBO Consulting. Prapë punë me bë video Abdixhiku”, ka shkruar Manxhuka.

    E nga LDK-ja janë kundërpërgjigjur duke i quajtur përralla të porositura e sondazhe për të sulmuar LDK-në matjet e fundit.

    Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i pyetur për sondazhin ka thënë se janë përralla të porositura. “Janë përralla të porositura nuk dua të merrem me përralla”, ka thënë ai për  gazetën online Reporteri.net.

    Quni pretendon se janë në garë për vendin e parë. “Në garë jemi për vendin e parë”, ka thënë Quni për Reporteri.net.

    Ndërkaq, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri  në reagimin e tij pretendon për një “fushatë sondazhi për të sulmuar LDK-në”.

    Kjo, thotë ai vjen pas opozitarizmit racional, punës në terren, interpelancës për tenderët njëburimorë dhe videos së djeshme të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    “Një javë pas opozitarizmit racional e të faktuar, punës së jashtëzakonshme në terren me qytetarët, interpelancës për tenderët njëburimor dhe videos së djeshme të kryetarit të LDK-së, paskan tentuar me fushatë ‘sondazhi’ të na sulmojnë. Ne ecim para drejt rikthimit të madh. Nuk ka kush na ndal. Ne kemi vendosur të punojmë deri në ditën e zgjedhjeve pa u ndal. LDK, shpresë e besë për Kosovën!”, ka shkruar Haziri ne “Facebook”.

    Një reagim me një narrativë të ngjashme e pati edhe deputetja tjetër e LDK-së, Hykmete Bajrami. Bajrami ka thënë se këto sondazhe i vijnë qeverisë sa herë që ka ndonjë krizë, duke shtuar se realiteti është ndryshe nga rezultatet.

    “Mbajeni në mend, sa herë që ka një krizë, qeverisë i vjen një sondazh i ri. Herën e kaluar në ditën e faturave dyfysh të energjisë elektirke, këtë herë në periudhën e shpërfaqjës së korrupcionit përmes kontratave sekrete e pazareve në katër sy. Duan të paraqesin një realitet tjetër – fiktiv. Të na thonë se ne jemi vet. Se shumica është me ata – të kënaqur si dikur”, ka thënë Bajrami.

    Për sondazhin kanë reaguar edhe nga PDK. Deputeti i kësaj partie, Xhavit Haliti tha se kjo parti është duke u përgatitur të dalë e para në zgjedhje.

    Sidoqoftë pa u thelluar në rezervat që kam për rezultatin e zgjedhjeve sipas këtij sondazhi, Partia Demokratike është duke u përgatitur që të dalë e para në këto zgjedhje. Shpresoj që listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme do jenë të studiuara mirë dhe ata që zgjidhen do i shërbejnë vendit e jo shefit”, tha  ai për Gazeta Blic.

    Haliti shtoi se ky vit është elektoral dhe të gjitha partitë do t’i mprehin shpatat për fitore.

    Ndërkaq nga AAK kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se se partia e tyre është e fortë dhe këtë do ta dëshmojë në zgjedhje, pavarësisht se në sondazhin e realizuar nga UBO Consulting që ka publikuar gazeta online Reporteri.net, del se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund të rrezikojë të mos e kalojë pragun në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

    “Së pari kemi shumë pak informacione për këtë sondazh. Numri i respodentëve është shumë i vogël. Në një vend kur dalin e votojnë 700-800 mijë votues të maten me 800 pyetësorë duket non sence, pastaj se kemi të qartë metodologjinë e sondazhit. Krejt çka dimë është se janë pyetur 800 qytetarë edhe nuk e dijmë nga cilat zona si janë përpjestuar qytetet më të mëdha të Kosovës dhe ato më të vogla, a janë këta qytetarë të njëjtë që pyeten vazhdimisht çdo 3 muaj e kështu me radhë për ta vlerësuar këtë sondazh kemi shumë pak të dhëna. Po pavarësisht të gjithave numri i vogël i qytetarëve të pyetur është problemi kryesor i këtij sondazhi. Vetëm 0.1% e trupës elektorale është pyetur. AAK vazhdon e fortë dhe zgjedhjet do të tregojnë këtë të vërtetë”, ka thënë  Pal Lekaj për Reporteri.net.

    Në sondazhin e fundit të realizuar nga kompania UBO Consulting  që ka publikuar gazeta online Reporteri.net Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind, PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind, ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.

    Në zgjedhjet e fundit nacionale më 14 Shkurt 2021, LVV-ja e kishte marrë 50.28%. Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind. LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave. /Reporteri.net/

    Trendi sipas sondazhit të UBO’s: VV te 50 përqindëshi, LDK “me rënie të lirë”, PDK pak më pak, AAK mund të rrezikojë pragun

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!