Në sondazhin e fundit të realizuar nga kompania UBO Consulting që ka publikuar gazeta online Reporteri.net, del se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund të rrezikojë të mos e kalojë pragun në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Sipas këtij sondazhi, AAK-së s’po i kryen punë as koalicioni me NISMA-n sepse vazhdojnë të jenë në rrezik të pragut, duke llogaritur këtu margjinën e gabimit të Omnibusit të fundit të kryer gjatë muajit mars të këtij viti. Koalicioni i këtyre partive ka 6.9 për qind, sipas këtij sondazhi, derisa margjina e gabimit llogaritet plus-minus 3%.
Në lidhje me këtë sondazh, gazeta online Reporteri.net ka kontaktuar me deputetin e AAK-së, Pal Lekaj. Lekaj nuk ka komentuar shumë duke thënë se kanë pak të dhëna, andaj nuk mund të flasë për sondazhin. Por, ai ka potencuar se partia ku bën pjesë, pra AAK “vazhdon të jetë e fortë dhe zgjedhjet do ta tregojnë këtë”.
“Së pari kemi shumë pak informacione për këtë sondazh. Numri i respodentëve është shumë i vogël. Në një vend kur dalin e votojnë 700-800 mijë votues të maten me 800 pyetësorë duket non sence, pastaj se kemi të qartë metodologjinë e sondazhit. Krejt çka dimë është se janë pyetur 800 qytetarë edhe nuk e dijmë nga cilat zona si janë përpjestuar qytetet më të mëdha të Kosovës dhe ato më të vogla, a janë këta qytetarë të njëjtë që pyeten vazhdimisht çdo 3 muaj e kështu me radhë për ta vlerësuar këtë sondazh kemi shumë pak të dhëna. Po pavarësisht të gjithave numri i vogël i qytetarëve të pyetur është problemi kryesor i këtij sondazhi. Vetëm 0.1% e trupës elektorale është pyetur. AAK vazhdon e fortë dhe zgjedhjet do të tregojnë këtë të vërtetë”, ka thënë Lekaj për Reporteri.net.
Në sondazhin e fundit të realizuar nga kompania UBO Consulting që ka publikuar gazeta online Reporteri.net Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind, PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind, ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.
Në zgjedhjet e fundit nacionale më 14 Shkurt 2021, LVV-ja e kishte marrë 50.28%. Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind. LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave. /Reporteri.net/