×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Sorensen deklarohet pas takimit me Bislimin e Petkoviqin, paralajmëron takim të nivelit të lartë

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 21:35

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është deklaruar pas takimit trilateral që ka mbajtur sot në Bruksel me Kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

    Sorensen ka thënë se me ta ka diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe përgatitjen e një takimi të nivelit të lartë, shkruan Reporteri.net.

    “Mbajta një takim të gjatë me Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Diskutuam për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre në kuadër të përgatitjeve për një takim të nivelit të lartë në Dialog, për obligimet e pazbatuara dhe për çështjet aktuale. Ramë dakord që diskutimet të vazhdojnë së shpejti”, ka shkruar Sorense.

    Për takimin u deklarua më herët edhe Bislimi. Ai paralajmëroi se Sorensen mund të zhvillojë vizitë në Kosovë dhe Serbi, teksa tha se javën tjetër ai do të dërgojë dy nga anëtarët më të ngushtë të ekipit për të grumbulluar informata shtesë.

    Ai bëri me dije se në takim kanë diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike.

    “Ideja ka qenë që sot të kemi tri tema të ndryshme që trajtojmë. Në pjesën e parë jemi dakorduar për principet sesi duhet të udhëhiqen takimet në trilateral tash në kohën e z. Sorensen dhe aty mendoj që kemi arritur një dakordim të përgjithshëm. Në pjesën e dytë që ka qenë pjesa qendrore e takimit të sotëm kemi diskutuar për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike ku palët kemi treguar idetë tona se si mendojmë që mund të sigurohemi që Marrëveshja Bazike zbatohet”, ka deklaruar Bislimi.

    Bislimi tha se u është dhënë kohë që në takimin e radhës të sjellin në mënyrë të shkruar idetë “se si mund të sigurohemi që versioni i sekuencimit të cilin kemi përfundu me z. Lajçak duhet të bëhet i pranueshëm për palët dhe të ecim tutje”.

    Në fund, Bislimi tha se ideja e Sorensen është që të bëjë edhe një takim gjatë muajit korrik, para se EEAS të shkojë në pushim të verës./Reporteri.net

    Bislimi pas takimeve në Bruksel: Sorensen javën tjetër dërgon anëtarët e ekipit të tij në Kosovë dhe Serbi, vetë mund të vijë në korrik

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!