×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Sorensen e merr detyrën e Emisarit më 1 shkurt me mandat fillestar për 13 muaj, Këshilli Evropian tregon detyrat e tij

    Reporteri
    27 Janar 2025 | 17:46

    Këshilli Evropian ka njoftuar për emërimin e Peter Sorensen, si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka marrë sot pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Sorensen do të marrë detyrën më 1 shkurt, me një mandat fillestar prej 13 muajsh. Ai do ta pasojë në këtë pozitë Emisarin Mirosllav Lajçak, të cilit i përfundon mandati më 31 janar.

    Në njoftimin e KE’së, që është shpërndarë edhe nga Zyra e BE’së në Kosovë, thuhet se detyrat e tij përfshijnë lehtësimin e procesit të dialogut që do të kontribuojë në normalizimin gjithspërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj, shkruan Reporteri.net.

    “Detyra e Përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë që ta lehtësojë dialogun, i cili do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe në veçanti në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimnit, dhe aneksin e zbatimit të saj, të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023. Zoti Sorensen do të nisë punën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh“, thuhet në njoftim.

    Aty theksohet përvoja e gjërë e Sorensen, e theksohet ajo në Ballkanin Perëndimor.

    “Ai shërbeu nga viti 2011-2014 si Përfaqësues Special/Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe gjithashtu ka mbajtur pozita si ambasador dhe shef i delegacionit të BE-së në Shkup dhe shef i delegacionit në Gjenevë. Në këtë të fundit, z. Sørensen përfaqësoi BE-në në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke përfshirë edhe si përfaqësues të Unionit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftim.

    Aktualisht ai është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

    Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Para nisjes së takimit në Bruksel të kryediplomatëve, ku Sorensen u konfirmua, ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se me zgjedhjen si emisar të diplomatit nga Danimarka, po dërgohet mesazhi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.

    Në fund të njoftimit, përshkruhet roli që kanë emisarët e Bashkimit Evropian.

    “Përfaqësuesit Specialë të BE-së promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të caktuara, si dhe çështjet me interes ose interes të veçantë për BE-në. Ata luajnë një rol aktiv në përpjekjet për të konsoliduar reformat, stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Përfaqësuesit e parë Specialë të BE-së u emëruan në vitin 1996. Aktualisht, njëmbëdhjetë Emisar mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas”, përfundon njoftimi./Reporteri.net

    Sorensen konfirmohet përfundimisht emisar për dialogun Kosovë-Serbi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!