Sot më datën 15 qershor 2019 janë bërë 630 vjet nga Beteja e Kosovës, e cila ka pasur dhe vazhdon të ketë rolin më të madh edhe në fatin këtij territori, tash shtet, Kosovës.
Serbia, e cila edhe sot vazhdon të pretendojë mbi të drejtën e saj për ta konsideruar Kosovën të vetën, këtë e bën përmes kësaj beteje, mbi të cilën ndërtoi edhe identitetin e kombit të vet.
Serbët pretendojnë se në këtë betejë të famshme ku u vra një nga njerëzit më të fuqishëm në botë të kohës, Sulltan Murati I, vrasja u krye nga një serb. Në anën tjetër, shqiptarët pretendojnë se vrasësi ishte shqiptar.
Por, profesori Blerim Latifi, thotë se sipas studimeve serioze, vrasësi nuk ishte serb e as shqiptar, por një turk, e për më tepër vetë djali i Sulltanit.
“Derisa po kaloja sot nëpër Mazgit të Obiliqit, mu kujtua se beteja më e komentuar në historinë e Ballkanit, Beteja e Kosovës e vitit 1389, kishte ndodhur në një ditë si kjo me 15 qershor. Mbi mitin e saj serbët kanë ndërtuar gjithë ideologjinë e tyre të pushtimit të Kosovës dhe spastrimit etnik të saj. Në atë betejë, siç dihet, u vra Sulltan Murati I dhe ende sot shqiptarët dhe serbët grinden rreth përkatësisë etnike të vrasësit të Sulltanit. Studimet ma serioze thonë tjetër gjë. Vrasësi i Sulltanit nuk ishte shqiptar. Nuk ishte as serb. As hungarez. Ishte turk. Ishte Bajaziti, djali i sulltanit, që në rrëmujën e betejës së fituar, e vrau babën e vet, pastaj edhe vëllaun e vet, për ta marrë fronin. Thjesht një ngjarje shekspiriane e krimit familjar për pushtet. Çdo tjetër është legjendë, mitologji dhe folklor nacionalist!”, ka shkruar profesori Latifi. /reporteri.net